Ata që mbajnë Ramazanin për një muaj do të qëndrojnë pa ngrënë e pa pirë nga agimi deri në muzg pra nga syfyri deri në iftar.
Por në Pozheran të Vitisë mbrëmë ka ndodhur një ngjarje e pazakontë, sipas banorëve. Raportohet se besimtarët bënë iftar pesë minuta para kohës së caktuar, pasi ezani u thirr më herët gabim. Atje nga Xhamia e këtij fshati, muezini ka thirr ezanin e iftarit në orën 19:19 minuta, pesë minuta para kohës së caktuar për iftarit, në ditën e mërkurë që ishte sakët në ora 19:24, sipas vaktit të ramazanit për territorin e Kosovës nga Bashkësia Islame e Kosovës. Plus Televizion ka kontaktuar imamin e Xhamisë në Pozheran, Muhamet Zuka, i cili ka konfirmuar se kjo ka ndodhur gabimisht. “Po është thirr ezani pesë minuta ma herët gabimisht, muezini e ka pas orën gabim, menjëherë posa kam dëgjuar ezanin e kam thirr muezinin duke i thënë se është para kohe pak dhe është përmirësuar. Ata që kanë bërë iftar në ato momente nuk e kanë prishë agjërimin pasi asgjë nuk ka qenë qëllimisht”, tha Zuka. Sipas traditës islame, sapo muezini të fillojë ta thërras Ezanin, atëherë mund të thyhet agjërimi e myslimanët hanë iftar kur e dëgjojnë ezanin për namazin e mbrëmjes (akshami).
