Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se tashme Maqedonia ka regjistruar rastin e parë të mpiksjes së gjakut si pasojë e vaksinës “AstraZeneca”. Bëhet fjalë për një 28-vjeçare, e cila para një jave është vaksinuar në Serbi.
“Tek ne deri më tani është regjistruar një rast i një vajze 28 vjeçare që i është shkaktuar tromboza pasi e ka marrë vaksinën e AstraZeneca në Serbi, dozën e parë. Simptomat i janë paraqitur rreth një javë pasi e ka marrë vaksinën. Ajo për momentin gjendet në mjekim në spital”, tha Filipçe.
Autoritetet shëndetësore në vend kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine për personat nën moshën 60-vjeçare, duke ndjekur kështu shembullin e Kanadasë dhe Gjermanisë.
“Ne kemi vendosur që të jemi të kujdesshëm prandaj edhe do të presim konfirmim përfundimtar se kjo vaksinë është e sigurt. Do të takohem edhe me Agjencinë për Sigurinë e Barnave me të cilët duam të shkëmbejmë informacione dhe ti drejtohemi me pyetje Agjencisë Evropiane për Ilaçe dhe Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Efektet anësore janë mpiksja e gjakut, por kjo ka ndodhur në numër më të vogël të njerëzve”, shtoi ministri.