Milva Ekonomi, në cilësinë e titullarit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka kontribuar direkt për të shtuar milionat në xhepat e Janis Karathanos, pronarit të një sërë kompanish. Ky i fundit zotëron edhe një nga koncesionet më famëkeqe në shëndëtësi, përkatësisht atë për laboratorët e analizave të spitaleve shtetërore që prej prillit të 2017-ës për një periudhë 10-vjeçare në vlerën 13,005,966,000 lekë të reja pa TVSH.
Gjithashtu Karathanos ka lidhje edhe me koncesionin e “check-up”-it të fituar nga Vilma Nushi. E pra, sikur të mos mjaftonin gjithë këto miliarda, duket se Janis Karathanos është gostitur me disa “lekë xhepi” edhe nga Milva Ikonomi. Bëhet fjalë për një tender të ri me numër reference REF-86004-02-04-2021 dhe me objekt :“Blerje vaksinash kundër sëmundjes së brucelozës”.
Ky tender ka si fond limit vlerën prej 11,597,300 lekë të reja pa TVSH ose rreth 140 milionë lekë të vjetra me TVSH. Shikohet se pjesëmarrëse e vetme dhe gjithashtu edhe fituese është shpallur kompania PEGASUS-VET në pronësi të Karathanos.