Duket se publikimi përfundimtar i listave, nuk ka shkuar kaq mbarë sot për LSI, që pikërisht vendosi t’i shpallte në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Bëhet fjalë pikërisht për Sokol Skurën, kandidatin nga radhët e partisë së Monika Kryemadhit, të cilin kjo e fundit e renditi në vendin e 5-t në listën e partisë për Elbasanin.
Rezulton se Skura ka rënë ditën e sotme në prangat e policisë pasi është kapur duke i dhënë makinës në gjendje të dehur në aksin Elbasan-Librazhd. Kjo nuk është hera e parë që Skura ka probleme me drejtësinë, pasi në shtator të vitit 2015, në atë kohë kandidati i Partisë Socialiste në Elbasan, Sokol Skura aksidentoi një adoleshent 17-vjeçar, i cili gjeti vdekjen.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin: S.S., 42 vjeç, banues në Librazhd, pasi në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.