Vrasësi që ekzekutoi me dy plumba Behar Sofinë, të skeduar për trafik heroinë, ka dalë i qetë nga Tirana, pasi nuk ka ikur me makinë, por me një biçikletë. Sipas Ora News njeriu që tronditi qendrën e Tiranës, është larguar me një biçikletë në drejtim të kodrave të Liqenit Artificial. Itinerari i tij është zbuluar duke analizuar pamjet filmike nga bizneset dhe objektet e rëndësisë së veçantë siç është presidenca dhe kamerat e bashkisë së Tiranës. Vrasësi dyshohet se ka qëndruar i pozicionuar në një zonë jashtë syrit të kamerave të bizneseve, në anën e trotuarit buzë lumit Lana. I veshur sportiv, me kapele, syze dhe një maskë anti-Covid, qitësi besohet se mund të ketë qëndruar në dy pozicione, duke mos u kapur nga kamerat në pritje të sinjalizimit nga dy vëzhguesit që ishin ngarkuar të monitoronin, Behar Sofinë.
Sapo dy vëzhguesit kanë njoftuar qitësin se Behar Sofia ka dalë nga banesa, duke marrë drejtimin në këmbë drejt trotuarit buzë lumit Lana, qitësi është afruar duke ndjekur nga pas Behar Sofinë. Ai është afruar në një distancë shumë të afërt dhe e ka qëlluar dy herë me një pistoletë me silenciator, duke bërë që Behar Sofia të “shembet” në tokë. Askush nga kalimtarët nuk ka dëgjuar të shtëna. Ndërkohë, vrasësi nuk ka humbur qetësinë, por pa u panikosur fare ka vijuar i qetë ecjen në trotuar. Ka shkuar tek vijat e bardha pranë urrës tek Bulevardi Dëshmorët e Kombit, duke kaluar në krahun tjetër, mes disa personave kalimtarë të rastit. Ai ka marrë biçikletën, që ishte lidhur nga dikush tjetër ose vetë ai dhe më pas ka filluar të lëvizë në korsinë e biçikletave drejt zonës së Kuvendit, presidencës dhe më tej ka dalë në rrugicat e parkut kombëtar, duke mos u shqetësuar nga asnjë patrullë policisë që ndodhej në këtë itinerar mjaft të monitoruar nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës.