Disa banorë në rrugën Shyqyri Brari kanë dalë për të protestuar për shkak se rruga e vetme lidhëse me banesat e tyre ka rrëshkitur, duke u bërë e vështirë për t'u kaluar. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga ana e Bashkisë së Tiranës, pasi në të kundërt do të bllokojnë aksin kryesor pranë Kopshtit Botanik. “Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të dalim aty dhe të bllokojmë rrugën. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Jemi fshati më afër kryeqytetit dhe jemi lënë në këtë gjëndje,” tha një nga banorët. Gjithashtu një tjetër banor thekson se nga mungesa e kësaj rruge preken rreth 120 familje: “Janë rreth 120 familje që preken nga kjo rrugë. Partitë vijnë vetëm për vota dhe ikin dhe asgjë nuk bëjnë.”