Një ngjarje e rëndë është regjistruar në shtetin fqinj, Greqi. Mësohet se në vendin e quajtur Hagia Sophia, është qëlluar me armë zjarri një shqiptar 27-vjeçar, i cili për momentin ndodhet në një “vdekje klinike”. Më konkretisht ai është goditur nga pesë plumba, ndërsa ishte brenda në makinën e tij. Mediat lokale raportojnë se ngjarja ndodhi në orën 18:00 dhe paralel me automjetin ku ndodhej 27-vjeçari, ishte edhe një automjet tjetër, ndërsa të dy makinat ndaluan në Kryqëzimin Kourtesis.
Sipas dëshmitarëve okularë, 2 automjetet kishin filluar të ecnin me shpejtësi dhe dukej sikur ishin në ndjekje të njëra-tjetrës. Më pas pasagjerët zbresin nga të 2 automjetet dhe nis një përplasje e ashpër mes tyre. Por pas sherrit mes tyre në një moment dëgjohen edhe të shtëna, si dhe përdoret një mjet i mprehtë, thikë. Si rezultat i të shtënave, 27-vjeçari shqiptar, i cili ishte përleshur me pjesën tjetër ra mbi asfalt dhe u mbulua me gjak, ndërsa pesë të tjerë u plagosën lehtë por ia arritën t’i shpëtonin policisë. Ndërkohë policia greke dyshon se autorët e ngjarjes mund të jenë shqiptarë, por ende nuk ka një informacion zyrtar mbi shkakun e përplasjes mes tyre. Dyshimet e para janë se autorët i përkasin një grupi që menaxhon klubet e natës. Policia raportoi se po kërkon dy persona, që dyshohet se janë autorë të ngjarjes së rëndë.
Qytetarët që panë skenën u tmerruan dhe filluan të vraponin e të fshiheshin, ndërsa ata që ishin në dyqane apo shtëpitë e tyre mbyllën dyert dhe dritaret.