Rruga ku Klodian Rasha u qëllua me armë zjarri nga efektivi i Policisë së Shtetit më datë 8 dhjetor në Tiranë pranë shtëpisë së të riut, ka marrë emrin e tij. Kujtojmë se kjo gjë ndodhi pasi i ati i 25-vjeçarit, Qazim Rasha kërkoi vendosjen e tabelave me emrin e djalit të tij. Klodian Rasha u ekzekutua nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili ndodhet pas hekurave për ngjarjen e rëndë, që pasoi me protesta të shumta në të cilat policia dhunoi qytetarët dhe iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Pas protestave dha dorëheqjen Sandër Lleshaj, ndërsa u kërkua dhe shkarkimi i Ardi Veliut.
