Diego Armando Maradona u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 60-vjeçare nga një sulm në zemër. Reagimet nga e gjithë bota kanë qenë të shumta, teksa të gjithë kanë shprehur hidhërimin për humbjen e legjendës argjentinase. Pas autobsisë, trupi i pajetë i Maradonës po mbahet në Casa Rosada në prani të familjes, miqve dhe mijëra tifozëve.
Teksa, ish-futbollisti nuk është përcjellë ene në banesën e fundit, një foto skandaloze është bërë virale në rrjetet sociale. Aty shihet një punonjës i agjensisë funerale, i cili pozoi krah trupit të Maradonës në arkivol. Imazhi i publikuar nga televizoni argjentinas “Todo Noticias” u shpërnda menjëherë në rrjetet sociale dhe tregon burrin, që sheh kamerën dhe ngre gishtin e madh të dorës së majtë lart ndërsa me të djathtën ai prek ballin e legjendës. Një gjest që ka marrë shumë reagime negative.