JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Nuk ndalet Laerti i Postës Shqiptare, tender 400 milionë për lexues barkodesh
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09/11/2020 22:12

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Leku letër plako! Jo për ne si popull, jo! Qetësohuni. Bëhet fjalë për xhepat e Laert Duraj, administratorit të Postës Shqiptare. Nuk dihet në fakt sa të mëdha i ka xhepat Laerti pasi gjithë këto para të dhënë nëpër tendera të ndryshëm nuk ka kasafortë që i përballon. Në një kohë kur njerëzit e shkretë heqin picirin duke pritur në rradhë pranë zyrave të Postës Shqiptare, Laerti gjen kohë të harxhojë 400 milionë lekë për të blerë lexues barkodesh. Dhe jo lexues dosido, por “wireless”, pa tela me pak fjalë.

Duket se pavarësisht situatës me COVID-19 e cila ka dëmtuar rëndë financat e popullit dhe shumicës së bizneseve, Laert Duraj harxhon rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH për të blerë lexues barkodesh për Postën Shqiptare. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-72049-09-16-2020 dhe me objekt “Blerje palmar profesional, barkod reader me wireless, lexues barkodesh”.

Kompania fituese është shpallur “Sinteza CO” me një vlerë të ofruar prej 32,821,000 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo kompani ka për administrator dhe pronar shtetasin Shkëlqim Dino. Në këtë tender kanë marrë pjesë 3 kompani nga të cilat njëra prej tyre ka ofruar një vlerë më të vogël sesa fituesi. Më konkretisht diferenca e kompanisë që ka ofruar vlerë më të ulët me vlerën e firmës fituese është rreth 36 milionë lekë të vjetra me TVSH.

E megjithatë, ndonëse ka ofruar rreth 36 milionë lekë të vjetra më pak, firma në fjalë është skualifikuar me pretekstin e zakonshëm se nuk përmbushte kriteret. Nga ana tjetër vihet re se vlera e ofruar nga firma fituese është thuajse e barabartë me vlerën e fondit limit, ose e shprehur në përqindje, rreth 97.3% e këtij fondi. Të dyja këto fakte ngrenë dyshime të forta se fituesi ka qenë i paracaktuar dhe se një pjesë e mirë e këtyre milionave do të përfundojnë në xhepat e Laertit.