Po bëhen disa ditë që kur policia ka nisur aksionin e saj në gjobitjen e qytetarëve që shkelin urdhërin më të fundit që ka dhënë qeveria, lidhur me mbajtjen e maskës edhe në ambiente publike. Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshuar me masë administrative 3.000 lekë, rreth 844 qytetarë. Këta të fundit janë konstatuar pa maska mbrojtëse. Nëse do të bëjmë një përllogaritje, nga këto ndëshkime qytetarët kanë dalë me humbje, ndërsa qeveria numëron rreth 2.532.000 lekë në arkën e saj. Metodë e bukur për të marrë çdo kacille të popullit, apo jo?
Në mesin e të ndëshkuarëve që shkelën rregullin e mbajtjes së maskës janë edhe 12 shtetas “kokëfortë” të cilët nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit. Në këto raste ‘policia që duam’ ka shfaqur ‘fuqinë e saj’ dhe i ka shoqëruar qytetarët në ambientet e Policisë. Aty këta shtetas janë detyruar të pranojnë të ndëshkohen dhe më pas janë liruar. Pas gjithë “punës së saj” të lodhshme, Ndërkohë, Policia e Shtetit ka falenderuar qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe ata që “ushqejnë” arkën e shtetit.