Tashmë Tirana është vendi i çudirave dhe kontradiktave! E themi këtë sepse çdo ditë e më shumë ankesat e qytetarëve për kushtet minimale janë të shumta, ndërkohë nga ana tjetër kullat shumëkatëshe të oligarkëve po lulëzojnë mes kryeqytetit dhe po ia marrin frymën. Rrugët e Tiranës janë lënë në mëshirë të fatit, përkundër premtimeve boshe të Lali Zdromsit, kjo pasi rëndësi po i jepet vetëm qendrës, ndërsa periferia është lënë në harresë të plotë. Rastet e publikuara nga JOQ Albania për këtë problematikë kanë qenë të shumta, ndërsa një i tillë ka ardhur së fundmi në redaksinë tonë.
Një banor i zonës Zall Herr shpreh shqetësimin se rruga që e çon në shtëpi është bërë mjaft e vështirë për të kaluar, qoftë në këmbë qoftë me automjet. Rruga ndodhet mbrapa Repartit Ushtark dhe në një bisedë që qytetari ka patur me vetë kryebashkiakun, teksa i ka parashtruar problemin, Lali Zdromsi i është përgjigjur se është në dijeni të situatës dhe po punohet për të rregulluar gjendjen e rrugëve në Tiranë dhe i premton se së shpejti do ndërhyhet edhe në këtë Njësi. Por, fiks më 31 tetor të këtij viti mbushen tre vjet nga kjo bisedë dhe gjendja nuk ka ndryshuar fare, përkundrazi rruga është bërë edhe më e pakalueshme, siç edhe mund të shihet në videon e mëposhtme, e dërguar ditën e sotme.