Shqipëria kaloi dhe është duke kaluar një situatë të vështirë përsa i përket pandemisë së koronavirusit, megjithatë për studentët e Masterit Profesional dhe Shkencor në Universitetet shqiptare duket se nuk ka asnjë rëndësi. Kjo pasi “Rilindja” nuk e ka vënë ujin në zjarr fare se si studentët e masterit do të paguajnë tarifën e studimit, e cila është më e kripura në të gjitha vitet shkollore. Për më tepër studentët kanë zhvilluar në auditorë vetëm 2 muaj leksione dhe seminare, e kjo për shkak të tërmetit dhe pandemisë së koronavirusit. Mësimet janë kryer online, me të gjitha vështirësitë që ka patur, por kjo nuk e ka shtyrë Ministrinë e Arsimit për të ndihmuar studentët, të paktën duke i përgjysmuar tarifën.
Shumica e studentëve dhe familjeve të tyre mezi ia dalin të përballojnë kostot e studimeve të fëmijëve në kohë normale, aq më tepër në kohën e pandemisë kur vendet e punës u mbyllën apo u reduktuan në masë, çka solli papunësi te prindërit apo edhe të vetë studentët e punësuar. Në fakultetin Ekonomik dhe atë të Drejtësisë, studentët e kanë ngritur zërin, por askush nuk ka reaguar. Pothuajse e njëjta ka ndodhur edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku studentët kanë denoncuar në redaksinë e JOQ ALBANIA, si dhe kërkuan një mbledhje në fakultet, e cila nuk uli tarifën, por vetëm shtyu me 10 ditë afatin.
Studentët janë në një situatë të vështirë tashmë, pasi përveç vështirësive që kanë hasur në marrjen e njohurive këtë vit shkollor duhet të “kridhen” në borxhe për të paguar tarifën, e cila në vit shkon mbi 700 mijë lekë të vjetra. E për t'ia kujtuar studentëve të Masterit, të cilët kanë kaluar më shumë kohë në shtëpi se në auditore, kanë patur probleme me internetin dhe nuk janë informuar fare për mësimin apo e kanë parë ashiqare që asgjë nuk ka ndryshuar nga vitet e Bachelorit që afati i pagesës është deri më 30 shtator. (pasnesër)
Ku janë protestat?