JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Skandali/ Morgu i shtetit nuk ka doreza për të vdekurit, merr me qira fuoristrada me zero KM nga Agron Papuli
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14/09/2020 22:39

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Çudirat shqiptare janë të panumërta në këtë vend, e bashkë me to edhe milionat që shpenzohen për arsye nga më të pabesueshmet. Keni dëgjuar ndonjëherë për Institutin e Mjekësisë Ligjore? Ndër të tjera aty ndodhet edhe morgu shtetëror. Me sa duket stafi i këtij instituti që përgjithësisht ka si detyrë të bëjë autopsinë e fatkeqëve që ndërrojnë jetë, paska nevojë për 3 automjete. Por jo automjete dosido, por fuoristrada me zero kilometra dhe të prodhimit 2016 e sipër.

Prisni se ka dhe më. Specifikimet e këtyre furositradave do t’ju lënë pa mend dhe nëse jeni duke e lexuar këtë artikull në mjedis të hapur, nuk do ishte çudi të shkulnit flokët dhe të vraponit si të çmendur nëpër rrugë. Kështu, stafi që hap trupat e të vdekurve, ka nevojë për fuoristrada që të kenë xhama të errët, sedilje lekure, ndezje me buton, sistem navigimi, timon multifunksional, bluetooth, cruise control, dritat me led, pasqyrat fotokromatike, sensor parkimi para-mbrapa, etj, etj.

Mjetet kërkohen që të kenë kamio automatike, fuqi motorike minimumi 200 kuaj fuqi si dhe shpejtësi maksimale minimumi 200 km/h. Është komplet e pakuptueshme se përse mund t’i duhen këtij institucioni fuoristrada të këtij niveli me specifikime e opsione të tilla kaq të larta në një kohë që sipas fotove që vetë ky institucion publikon në faqen e tij, duken “ashiqare” mungesat në mjetet më themelore.

Kështu në një foto të publikuar prej tyre, shihet mjaft qartë se në transportimin e një kufome, vetëm njëri nga katër personat që e transportojnë me barrelë ka doreza dhe uniformë, ndërsa të tjerët janë pa doreza dhe me xhinse apo tuta. E megjithatë kjo nuk e ka ndaluar aspak këtë institucion që të marrë me qira automjete me opsione “sheikësh”.

Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-68785-08-14-2020 dhe me objekt “Marrje me qira të 3 automjeteve për nevoja të Institutit të Mjeksisë Ligjore”. Në tender rezulton se ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila natyrisht edhe ka fituar. Bëhet fjalë për kompaninë “Classic” Shpk në pronësi të as më pak e as më shumë, por të vetë Agron Papulit i cili njihet si njeri i afërt i Ramës por edhe i Bashës së fundmi. Sa për kronikë, vlera e ofruar nga kompania e Papulit është sa 99,76% e fondit limit të tenderit.