JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Ambulancat e reja rrinë kot në parkim/ Rama “shpërblen” Dulakun me 2,3 miliardë për 36 copë të tjera
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07/09/2020 23:04

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Zgjedhjet po afrojnë dhe bashkë me to shtohet edhe zemërgjerësia e Rilindjes për të mbushur xhepat e biznesmenëve pranë saj me paratë e shqiptarëve. Janë jo pak por plot 2,3 miliardë lekë të vjetra me TVSH që Rlindja do t’ia japë familjes Dulaku për blerje ambulancash. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-64308-07-06-2020 dhe me objekt “Blerje autoambulanca për plotësimin e nevojave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.

Një tender i dyshimtë në fakt për disa arsye. Së pari pasi vetëm pak kohë më parë Rilindja u mburr për ambulanca të reja të cilat i kishte blerë për të përmirësuar shërbimin. Përveç tyre një numër jo i vogël u dërguan edhe nga Turqia sipas vetë deklarimeve të Ramës. Por sipas një denoncimi të një personeli shëndetësor mbërritur pranë JOQ Albania, një pjesë e mirë e autoambulancave të reja rrinë të parkuara kot në spitale pa u përdorur, por vetëm për propagandë mediatike.

Pra sa herë që Rilindja ka nevojë të bëjë propagandë, vijnë kamerat dhe filmojnë autoambulancat. Ndërsa më pas ato mbeten po aty në parkim, pa u përdorur për të sëmurët. E në fakt këtë e vërteton edhe fakti që shpesh në rrugët e vendit shikohen përsëri shumë ambulanca të vjetra. Sipas denoncimit të mbërritur pranë JOQ Albania, aktualisht janë 10 autoambulanca që mbahen në QKUM për reklama propagandistike, pra që rrinë kot pa u përdorur.

Duke ditur këtë, për çudi Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara realizon një tender të ri për blerjen e 36 copëve të tjera tek kompania “ALBANIA MOTOR COMPANY” SHPK e cila ka përfaqësinë e makinave FORD dhe është në pronësi të familjes Dulaku. Sipas të dhënave publike kjo kompani zotërohet në masën 75% nga kompania INER SHPK e cila nga ana e saj është në pronësi të Adrian Dulakut, Artan Dulakut dhe Genci Dulakut. Së dyti, kosto e blerjes së një ambulance shkon në rreth 64 milionë lekë të vjetra, një çmim shumë i lartë ky për një autoambulancë sipas burimit për JOQ Albania. Së treti, edhe vetë procedura e tenderit është e dyshimtë, pasi njëra nga kompanitë pjesëmarrëse, ka ofruar rreth 150 milionë të vjetra me TVSH më pak sesa kompania e Dulakëve. Sigurisht kjo kompani është skualifikuar për mungesë dokumentacioni.