Historia e ngjitjes në karrierë të Ermal M. Gjinaj, burrit të ministres Ogerta Manastirliu, është provë e qartë për dy gjëra: dashuria nuk pyet nëse ke 8 klasë shkollë, apo diplomë universiteti; por së pari, konfirmon se kur ke dëshirë, vullnet e mbështetje nga të afërm… arrin majat. Burri i ministres së ilaçeve, ka qenë pa arsim e pa dëshirë, për tu arsimuar; aq sa nuk ia gjenin dot “ilaçin”, si mund të kryente të paktën arsimin bazë, apo ti jepnin një “copë diplomë”; e këtë synim ia bënë realitet. Dëshmi është pozicioni i tij në zyrat e larta të pushtetit, në elitën e shoqërisë civile dhe të akademizmit politik. Karriera “VIP” që ka sot Ermal Gjinaj, starton si roje zëvendësues në gazetën “RD”; ku shef që përgjigjej për sigurinë dhe orarin e punës në gazetë, kishte gazetarin Dulejman Karaj. Pas 1 viti, kryeredaktori Astrit Patozi, që edhe vet ka ardhur me promovim të Mero Bazes nga klasa punëtore, si mekanik ferme në Kavajë; e angazhoi 3 muaj si “postier në provë”, duke i dhënë të drejtën të futej brenda mjediseve të gazetës RD, për të mësuar kompjuterin. Pas 6 muajsh, Patozi e angazhoi si kursant faqosës në gazetë; fillimisht në faqet horoskop e fjalëkryqe; pastaj tek politika e jashtme; dhe pas 1 viti faqosës për shkrimet pa art-dizajn. Më pas, Astrit Patozi e promovoi në takime me kolegë mediesh; e kështu, emri Ermal Gjinaj (Gjini), u bë më i njohur se emrat e redaktorëve të “RD”, Ramiz Gjini (shkrimtar) e Ndrek Gjini, raporton pamfleti.
Ishte koha, kur Ermal Gjinajn, me status “I preferuar i Astrit Patozit”, e kishin njohur me ministren Ogerta Manstirliu, atëherë drejtore në Bashkinë-Tiranë me Ramën; dhe befas emri i tij, u shfaq në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD. Pas këtij starti, Ermal Gjinaj filloi të distancohej nga ish-kolegët roje e faqosës; dhe kur PD erdhi në pushtet më 2005-ën, emri i tij u shfaq si Shef Kabineti i ministrit Genc Ruli. Kur PD ra nga pushteti, Ermal Gjinaj vazhdoi në ministri; mbasi në fuqi kishte ardhur qeveria “rilindja”, ku bashkëshortja Ogerta ishte një nga emrat e preferuar të skuadrës së Ramës, me 4 vite drejtore e QSUT dhe prej vitit 2017 ministre e ilaçeve. Më pas, për shkathtësinë që kishte treguar gjatë punës me ministrin Ruli; Ermal Gjinaj u emërua dhe vazhdon detyrën Drejtor Kabineti i drejtorit të OSHEE, Adrian Çela.
Nuk dihet, nëse Ermal Gjinaj, pas ikjes së “Rilindjes”; do të bëhet apo jo pjesë e “Republikës së Re” me Lulin; por gjithsesi, ai ka biznese dhe OJF me “çuna e goca” zyrtarë të PD, PS, LSI. Aktualisht, është krye-konsulent në Institutin e Implementimit të Informacionit; e konsulent në Fondacioni “Rruga me Pisha”, që financohet me projekte nga “Lali Eri” dhe ministria e Kulturës. Është dhe koordinator i Akademisë Politike, ku certifikohen “politologë për CV” e vende pune, si ministra, deputetë, kryebashkiakë, diplomatë, drejtues të OJF-ve, drejtorë shkollash, polici, tatime-dogana; e kushdo që kërkon të bëjë karriere, duke pasur karton nga “Akademi Gjinaj”. Kështu e ka nisur dhe burri Ogertës, nga zv/roje gazete e postier në provë, me trajnim e promovim nga “hiçi”, prej intelektualit Astrit Patozi; por ja ku është prej 15 vitesh: me pushtet, para e gruan ministre.