21-vjeçari Klevis Lleshi nga Burreli rezulton prej 10-ditësh të jetë i humbur. Nëna e tij ka bërë me dije se kontakti i fundit që ka pasur me të ka qenë më datë 5 gusht në orën 1 kur ka dalë nga shtëpia.
Ajo hedh akuza mbi policinë e Burrelit ku sipas saj ata po mbrojnë hasmin e saj Ali Hoxha si dhe ka treguar kalvarin e vrasjeve midis dy familjeve.
Vlen të theksohet se 21-vjeçari ka një histori përplasje me një tjetër të ri nga qyteti i tij.
Mariglen Hoti në orët e vona të natës së datës 30.10.2019, në afërsi të stadiumit të qytetit të Burrelit, ka qëlluar me armë në drejtim të Klevisit, dhe për këtë ishte shpallur në kërkim nga policia. Pas hetimit një mujor, policia arriti të lokalizonte vendndodhjen e Hotit. Por në fakt kur ka parë policinë që kishte rrethuar shtëpinë e tij, ky i fundit ka arritur të shmangë uniformat blu duke u fshehur në tavanin e shtëpisë.
Lleshi më pas ka kanosur Mariglen Hotin dhe është në kërkim për tentativë vrasje.
Fatbardha Lleshi:
Djali im ka dalë në orën 1 nga shtëpia, është nisur e ka pirë një kafe tek lokali me shoqërinë e vet. Në orën 3, djali ka humbur çdo lidhje dhe çdo kontakt dhe telefoni është fikur, është zhdukur në rrethana misterioze. Unë dyshoj që djali im është marrë nga shoqëria e vet dhe është dorëzuar tek dora e hasmit. Ne kemi hasëm Ali Hoxhën nga Shtjefni dhe me banim në Mamurras. Ne jemi në hasmëri për arsye se djali i kunatiti tim që unë nuk kam asnjë lloj lidhje me djalin e kunatiti prej 12 vjetësh që ishte në Angli, dyshohet se ka vrarë djalin e Ali Hoxhës. A e ka vrarë a s’e ka vrarë ne nuk kemi asnjë lloj lidhje me të sepse prej 12 vitesh ne edhe në telefon nuk na ka marrë. Policia asnjëherë nuk më ka kërkuar, e kam kërkuar vetë policinë. Kam ndenjur edhe 2 orë në dyert e gjykatës dhe prokurorisë së Burrelit dhe jam futur me zor brenda për të kërkuar djalin tim që më është djerr, një fëmijë 20 vjeç në mes të ditës në mes të Burrelit. Kam pritur 8 ditë dhe nuk kam marr përgjigje nga policia dhe gjykata e Burrelit, kam ardhur në Tiranë dhe kam kërkuar takim me ministrin Lleshaj. Qysh në vitin 2013 është vrarë burri im, në 2017 është vrarë kunati, 6 muaj mbrapa është zhdukur djali i kunatiti 40 vjeç dhe më i fundit djali im 20 vjeç më 5 gusht dhe për 6 vjet 2 persona janë të vrarë dhe 2 të zhdukur. Nga shteti shqiptar nuk kemi marr asnjë lloj përgjigje, asnjë i arrestuar dhe asnjë i dyshuar. Arsyeja është hasmëria. Ne deri në atë kohë as nuk na kanë vrarë, kemi jetuar dhe punuar, nuk kam pas asnjë të keqe. Kalvari i këtyre punëve fillon atë ditë që jemi bërë hasëm me Ali hoxhën. Nga autoritetet shqiptare unë kërkoj, që deri më tani ato nuk kanë bërë asnjë hap para për të gjitha vrasjet. Unë kam heshtur dhe djalin nuk kam dashur ta fus në konflikt. Sepse më është vrarë burri, nuk kam folur tek asnjë gjykatë, tek shteti shqiptar kërkoj drejtësi dhe do flijohem para kryeministrisë, më ka humbur një jetim duke pirë kafe. Dyshimi im është që policia e Burrelit është palë me hasmin dhe krimin”.