Covid-19 nuk mund të zhduket kurrë plotësisht, por përpjekjet e shteteve për të zbatuar masa kundër tij, mund ta mbajnë atë nën kontroll në Shtetet e Bashkuara. Me 4.7 milion raste dhe 158,249 viktima vetëm në SHBA, doktor Anthony Fauci tha të mërkurën se virusi nuk ka gjasa të zhduket nga planeti. Përfundimi i nxjerrë nga eksperti kryesor i vendit për sëmundjet infektive, bie në kundërshtim me atë të Presidentit Donald Trump, i cili disa ditë më parë tha se virusi "do të ikë".
Fauci tha që SHBA mund të mposhtë virusin me një vaksinë të mirë dhe masa të kujdesshme të sigurisë, si maskat, larja e duarve dhe distancimi shoqëror. Testimi, gjurmimi i kontaktit, maskat dhe distanca sociale, janë theksuar nga ekspertët shëndetësorë si masa që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e përhapjes së virusit dhe uljen e numrave të të infektuarve.
Numrat e rasteve të reja po nxiten nga njerëz që nuk po e marrin seriozisht virusin, tha Fauci. Në fillim të shpërthimit, ekspertët e shëndetit besuan se infeksionet e rënda dhe përhapja kishin më pak të ngjarë midis fëmijëve. Por të dhënat më të fundit tregojnë se ndërsa fëmijët kanë shumë më pak të ngjarë të vdesin nga Covid-19, sesa të rriturit, ata ende mund ta transmetojnë sëmundjen tek të tjerët.
Burimi:CNN|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania