Hije të forta dyshimi hidhen mbi numrin e vërtetë të të shtruarve në spitalet e ashtuquajtur ‘Covid 1 dhe 2’. Nga komunikimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë raportohen për 110 pacientë të shtruar në dy spitalet, atë Infektiv dhe Shefqet Ndroqi. Por detaje të reja përgënjeshtruese të të dhënave të autoriteteve shëndetësore shfaqen së fundmi.
Sipas burimeve të Syri.Net, thuhet se vetëm në Spitalin Shefqet Ndroqi janë të paktën 200 pacientë, kapaciteti limit i të cilit përmban vetëm 190 shtretër. Të njejtat burime raportojnë se mjekët dhe infermierët punojnë nga 12 orë pa pushim ndërsa regjistrohen afro 15 shtrime në ditë. Në këto kushte mjekët kanë kërkuar hapjen e spitalit Covid 3, pasi ‘Sanatoriumi’ po shkon drejt kolapsit shëndetësor.