Në fshatin Mllado Nagoriçane të Kumanovës kanë ardhur disa nuse nga Shqipëria për tu martuar me maqedonas. Portali News-tv nga Maqedonia e Veriut, ka bërë një reportazhë, duke sjellë rrëfimin e zonjës Lirie nga Kukësi, tash Lirie Gjorgjievska.
"Kemi ardhur në gushtë të vitit 2012 nga Kukësi. Si njerëz nuk janë të këqinj, ama kushtet janë shumë të dobëta. Jam e lumtur me këtë njeri, nuk është njeri i keq, ama pak është vështirë për jetesë. Zorani erdhi atje në qytetin e Durrësit”, shprehet Liria.
Zorani thotë se është i kënaqur nga nusja shqiptare dhe se ka dy fëmijë.
“Erdhi njëri që ishte i martuar nga Shqipëria…, vetëm e pyeta si shkon kjo punë dhe më tha duhesh t’ i japësh 100 euro…Ia dhashë 100 euro dhe pas një muaji shkuam atje, u pamë me nusen…
…Më 2012 u kry kjo punë, por pas një muaji, meqë babai i kishte vdekur dhe më pas edhe nëna…, pas 40 ditëve sipas zakoneve të tyre, erdhi këtu dhe filluam jetën…!”, thotë Zorani.
Lirie Gjorgjievska thotë se për shkak të kushteve shumë rrallë shkon në Shqipëri. Herën e fundit ka qenë para një viti e gjysmë.
