Kompania BIOMETRIC ALBANIA SH.P.K. e cila ka për administrator dhe ortak të vetëm Artur Kadarenë, ka fituar që nga viti 2012 e deri më sot, rreth 31 milionë euro tendera nga spitalet dhe institucionet shëndetësore në vend. Nëse i hedh një vështrim institucioneve të cilat i kënë dhënë tendera, mësohet se janë thuajse të gjitha spitalet e vendit.
Kështu, kjo kompani ka përfituar tendera nga QSUT, Spitali Mirditë, Spitali Pukë, Spitali Pogradec, Spitali Kukës, Materniteti Tiranë, Sanatoriumi Tiranë, Spitali Delvinë, Spitali Elbasan, Spitali Mallakastër, Spitali Shkodër, etj, etj, pra praktikisht thuajse nga çdo spital i vendit.
Mirëpo duket se përveç miliona eurove në shëndetësi, kjo kompani “ha bukë” edhe në fusha të tjera, siç është përshembull Ministria e Brendshme e Sandër Lleshit. Kështu rezulton se me tenderin me numër reference REF–58679-05-20-2020 dhe me objekt “Blerje materiale për ADN për ekstraktim-kuantifikim”, kjo kompani ka fituar rreth 40 milionë lekë të vjetra në një garë tepër çuditshme.
Themi kështu, pasi në garë kanë marrë pjesë 4 kompani dhe fitues është shpallur firma me ofertën më të lartë, pikërisht BIOMETRIC ALBANIA SH.P.K. Kështu, Operatori Ekonomik “ALMedical”, sh.p.k ka ofruar 2,900,000 (dy milion e nëntëqind mijë) lekë pa TVSH, operatori Ekonomik “KRIJON”, sh.p.k nuk ka paraqitur ofertë ekonomike, ndërsa Operatori Ekonomik “LEL-Medical”, sh.p.k. ka ofruar 3,050,000 (tre milion e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH.
Për çudi është kualifikuar BIOMETRIC ALBANIA SH.P.K. që ka paraqitur dhe ofertën më të lartë, përkatësisht 3,357,000 (tre milion e treqind e pesëdhjetë e shtatë mijë) lekë pa TVSH. Të gjithë kompanitë e tjera janë skualifikuar për mos plotësim kriteresh.
Kjo kompani, dhe administratori i saj, rreshtohen midis atij grushti të vogël njerëzish që marrin gjithmonë tenderat e shëndetësisë si Sokol Topçiu, Tom Doshi apo Vilma Nushi. Nuk dihet në fakt se cili qëndron në realitet pas kësaj kompanie, por duket se është goxha “peshk i madh”, duke patur parasysh shifrat të cilat i ka marrë dhe vazhdon t’i marrë deri më sot.