JOQ Albania
Home

Llogarisni sa do ju grabisë Rama/ Taksë për tunelin e Llogarasë, 7000 makina kalojnë në ditë
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21/06/2020 18:19

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për t'i shtuar 150 milionë lekë Ministrisë së Infrastrukturës, fond ky i cili do të përdoret për projektin “Rishikimi i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë””.

Vlera totale vetëm për projektin llogaritet të arrijë rreth 750 milionë lekë.

Ndërkohë, së fundmi detaje të reja janë zbuluar rreth projektit të ndërtimit të tunelit.

Mësohet se ndërtimi i Tunelit të Llogarasë planifikohet që t'i kushtojë buxhetit të shtetit një vlerë kolosale prej 150 milionë eurosh.

Vlera e saktë do të përcaktohet pasi të përfundojë procesi i studimit të plotë të fiziobilitetit dhe punimeve të detajuara inxhinierike.

Tuneli i Llogarasë do të jetë me gjatësi 5.7-6 kilometra, ku pika hyrëse e tij është 500 metra larg Urës së Elizës, ndërsa pika dalëse është 1.4 kilometra larg Urës së Palasës.

Megjithatë, kjo është një llogaritje paraprake, pasi distanca mund të ndryshojë pas përfundimit të plotë të studimit inxhinierik të investimit.

Është planifikuar që tuneli të ketë dy korsi në secilin krah të tij, njëri me gjerësi 3.5 metra dhe një korsi emergjente me gjerësi 1.25 metra, ndërkohë që shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë deri në 80 km/h.

Tuneli do të jetë me pagesë për automjetet që do ta përshkojnë atë ,ndërsa vlera e tarifës do të përcaktohet nga studimi i fizibilitetit. Aktualisht mendohet që fluksi mesatar i automjeteve gjatë 6 muajve të sezonit pranverë dhe verë të arrijë në 7 mijë makina në ditë, çka do t'i sillte fitime kolosale qeverisë.

Ndërkohë, pritet që procedurat e tenderimit të projektit të nisin më 29 dhjetor, ndërsa fillimi i punimeve është planifikuar të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Me interes do të jetë se cila kompani do të përfitojë tenderin për të zhvilluar këtë investim, i cili do t'i kushtojë buxhetit të shtetit shifrën kolosale prej 150 milionë eurosh, në një kohë që vendi ndodhet përballë një krize të thellë ekonomike, e cila u thellua akoma më tej pas tërmetit dhe pandemisë në vend.