Është liruar nga burgu Carlos Lehder, i cili njihet si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të perandorit të drogës, Pablo Escobar.
70-vjeçari me origjinë kolumbiano-gjermane, i cili ishte një nga bashkëthemeluesit e kartelit famëkeq të drogës Medelin, u lirua nga qelia pasi kaloi 30 vite burg në SHBA.
Ai tashmë do të nisë një jetë të re në Gjermani.
Lehder u dërgua në Europë me një avion pasagjerësh, i shoqëruar nga dy zyrtarë amerikanë, pasi kreu dënimin prej 30 vjetësh në një burg të sigurisë së lartë.
Ai u bë i njohur për krijimin e një baze për kontrabandën e drogës në një ishull privat në Bahamas.
Lehder u kap në Kolumbi në vitin 1987 dhe më pas u ekstradua në SHBA, ku u dënua me burgim të përjetshëm.
Masa e dënimit u ul pasi ai vendosi të bashkëpunonte me autoritetet. Ai dëshmoi kundër ish-udhëheqësit panamezian, Manuel Noriega, i cili kishte lidhje të ngushta me kartelin Medelin. Lehder tha se Noriega i lejoi që të transportonte kokainë përmes Panamasë.
Vajza e Lehderit, Monica, i tha revistës kolumbiane Semana, se ai ishte diagnostikuar me kancer dhe se për të do të kujdesej një organizatë bamirëse gjermane, pasi nuk kishte të afërm në vend.
Lehderi përfitoi nënshtetësinë gjermane, pasi babai i tij ishte me prejardhje nga Gjermania, por ishte shpërngulur në Kolumbi.
Ai nuk ka qenë kurrë në Gjermani dhe nuk do të përballet me asnjë veprim juridik nga autoritetet e vendit europian, pasi ai tashmë ka vuajtur dënimin me burg në SHBA.
Avokati i tij, Oscar Arroyave, i tha Associated Press se Lehder nuk kishte asnjë interes të kthehej në Kolumbi dhe autoritetet gjermane ofruan ndihmë për ta lejuar atë të zhvendosej në Berlin.
Besohet se karteli Medellín furnizoi rreth 80% të kokainës të kontrabanduar në SHBA në vitet 1970 dhe 1980.
Pablo Escobar, partneriteti i të cilit me Lehder u portretizua në serialin hit të Netflix, "Narcos", mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Medelin në vitin 1993, pasi ai u përpoq të shmangte ekstradimin në SHBA.
Burimi: BBC|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania
