Mbrëmjen e djeshme Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka ndaluar shefin e Stacionit Policor Fushë Arrez, Izmir Durakun, i cili akuzohet për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë.
Ndërsa sot është bërë i ditur lajmi se ai është përjashtuar përgjithmonë nga radhët e Policisë. Vendimi është marrë nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.
Sipas SHÇBA, ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu.
Provat e mbledhura dëshmojnë se në muajin prill të 2015-ës vajza u ngacmua seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasi shtetasja kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër ndërsa është abuzuar edhe në komisariatin e policisë.
SHÇBA ndaloi I.D., me detyrë aktuale Shef i Postës se Policisë ne Fushë Arrëz, në DVP Shkodër, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura". Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të mëtejshme. Ndërkohë autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurëse kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u përkujdesur, në një Qendër Sociale.