Si edhe u njoftua prej datës 12 qershor do nisin fluturimet e para me charter drejt Shqipërisë dhe vendi i parë që do nisë një charter drejt vendit tonë është Bjellorusia.
Lajmi është bërë me dije nga kompania e linjës ajrore në një postim në Facebook, ku tregon se me këtë linjë do të operohen fluturimet dy herë në javë, diten e martë dhe të premten.
Kjo është vizita e parë turistike në vendin tonë pas heqjes së kufizimeve të vendosura prej pandemisë së koronavirusit.
Miq, kemi një lajm të shkëlqyer. Nga 12 qershori fillon programi charter në Shqipëri! Nisjet 2 herë në javë, të Martën dhe të Premten. Të gjitha detajet jepen me operatorët turistikë.
Sektori i turizmit është thuajse më i godituri prej pandemisë dhe jo vetëm në vendin tonë. Kjo pasi përqindja më e madhe e turistëve anuluan prenotimet për të vizituar vendin dhe po ashtu pjesa tjetër e prenotimeve është ende pezull.
Edhe më problematic është fakti se sektorit turistik nuk i ofrohet mbështetje nga qeveria ndërsa ministri i Turizmit Blendi Klosi ka bërë disa deklarata pakuptim si opsione zgjidhje të situatës duke propozuar zgjatjen e sezonit turistik deri më 15 nëntor. Sipas tij kjo është e mjaftueshme që bizneset të kenë mundësi të rikuperojnë të ardhurat që humbën për shkak të izolimit prej pandemisë.