"Big Market – Di çfarë zgjedh!"
Kjo është motoja e rrjetit të supermarketeve Big Market, i cili është themeluar dhe drejtohet nga deputeti miliarder i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.
Supermarketi pretendon se është ndër kompanitë më të mira që operon në tregun e shitjes me shumicë, por shërbimi i Big Market duket se lë shumë për të dëshiruar.
Dhe këtë nuk e themi ne, por janë vetë klientët e këtij supermarketi që kanë dërguar denoncime të panumërta në redaksinë e JOQ Albania, ku herë ka pasur abuzime me çmimet e herë blerësit kanë konstatuar produkte ushqimore të mykura ose të skaduara.
Së fundmi, në redaksinë tonë ka mbërritur një tjetër denoncim, ku një klient i Big Market në Tiranë ka treguar një tjetër abuzim që bëhet nga ky rrjet supermarketesh.
Qytetari ka dërguar disa foto, ku shihet se një produkt, më konkretisht një pako me çamçakëza, që jo vetëm është e skaduar, por fsheh edhe një tjetër "marifet i pazakontë".
Sipas klientit, data e skadencës nuk është e stampuar, por i kanë një copë letër mbi datë.
Ai shkruan:
Mesa duket, Big Market i Vullnet Sinës nga dita në ditë vijon të gjenerojë 'ide' të reja, se si të abuzojë me shitjen e produkteve, në kurriz të klientëve.
Natyrshëm, lind pyetja: Sa kohë mund të ketë që ka skaduar produkti në fjalë, nëse i është vendosur një copë letër mbi datën e skadencës?
Vlen të theksohet se ky nuk është rasti i parë që në rrjetin e supermarketeve Big Market ndodhin të tilla abuzime me produktet që shiten, të cilat rrezikojnë seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkohë nga ana tjetër institucioni përkatës, AKU, që duhet të evidentojë dhe ndëshkojë raste të tilla vijon të bëjë 'një sy qorr e një vesh shurdh' ndaj kompanive dhe supermarkeve që shesin produkte ushqimore pa asnjë standard. Është lehtësisht e kuptueshme që AKU ndjek një standard të dyfishtë, pasi gjobit biznese të vogla dhe nuk u bën asgjë bizneseve të mëdha në shitjen e produkteve, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pushtetin dhe Rilindjen.
Tashmë jemi dhe në ditën e parë të stinë së verës dhe siguria ushqimore është në rrezik. Pavarësisht se raste të tilla janë denoncuar, duket se AKU vijon të jetë në "gjumë letargjik", ose thjesht supermarketin e Vullnetit nuk e kontrollon, pasi ai është një ndër të besuarit e Ramës dhe si i tillë ai mesa duket gëzon disa privilegje që pak kush arrin t'i ketë.
Përveç rrjepjes së konsumatorëve, Big Market i Vullnet Sinës duket se po kërkon me çdo kusht të sjellë në funksion të abuzimeve edhe marifete të padëgjuara më parë, si rasti që trajtuam sot.
Dikush mund të thotë se përgjegjësia është e punonjësve, por tashmë bëhet fjalë për një rast të përsëritur dhe përgjegjësia duket se është kolektive, sepse këtu kemi të bëjmë me sigurinë ushqimore, e cila mund të rrezikojë shëndetin e qytetarëve që janë klientë të supermarketit në fjalë.