Një ngjarje e rëndë tronditi Laçin mbrëmjen e djeshme. Në një atentat me armë zjarri, mbeti i vrarë biznesmeni 37-vjeçar Bujar Lika (Hasani) i cili ishte edhe shënjestra e atentatit.
Po ashtu pas plagëve të marra ndërroi jetë në Spitalin e Traumës edhe 53-vjeçari, Paulin Gjergji.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientin e jashtëm të një hoteli në autostradën Mamurras-Lezhë, ndërsa në rrethana ende të paqarta mbeti i plagosur edhe një 21-vjeçar.
Ndërsa nga informacionet e deritanishme bëhet me dije se Bujar Lika ka qenë i përfshirë në vrasjen e 2015 në zonën e Linzës ku në parkingun e një restoranti u ekzekutua me plumb në kokë, Enton Nikaj.
Kjo ka bërë që policia të ngrejë si pistën kryesore të hetimit, një hakmarrje për ngjarjet e së shkuarës. Lika në 2016 mundi të sigurojë pafajsinë nga gjykata e Apelit lidhur me vrasjen e Nikajt.
Lika njihej po ashtu edhe për lidhje të forta miqësore me kreun e një grupi kriminal kryesisht në fushën e lojrave të fatit.