E pabesueshme! Prapë miliona euro në lojë. Kësaj rradhe për të shqyer përsëri asfaltin e Rrugës së Durrësit dhe për të ndërtuar rrjet kanalizimi. E thotë pikërisht procedura e tenderit me numër reference REF-54326-03-12-2020 që ka për objekt ““Ndërtim rrjet kanalizimi Rruga e Durrësit’’.
Tenderin e organizon Ujësjellës kanalizime Tiranë, në varësi direkte të bashkisë Tiranë me një fond limit prej rreth 1,5 miliardë lekësh të vjetra pa TVSH. Njoftimi i klasifikimit është bërë më datë 08.05.2020 dhe është publikuar ditën e sotme në buletinin përkatës. Rezulton se në tender kanë marrë pjesë 10 firma apo bashkime firmash nga të cilat është klasifikuar si fitues bashkimi i operatorëve ”V.A.S Konstruksion”sh.p.k & ”Beis” sh.p.k & ”Meteo” sh.p.k me vlerë të ofertës: 113,715,031,5 lekë të reja pa TVSH ose gati 1,1 milionë euro me TVSH.
Nëse hulumton të dhënat e kompanive fituese shikon se firma “V.A.S Konstruksion”sh.p.k. ka një kapital prej vetëm 100 lekësh të reja. Është e pakonceptueshme se si një kompani me kapital të tillë qesharak mund të përfitojë një tender me vlerë 1,1 milionë euro. Nëse shohim kompanitë që morën pjesë në konkurrim, njëra prej tyre ka ofruar vlerën zero, ndërsa 3 të tjera kanë ofruar vlerë më të ulët se bashkimi i kompanive fituese. Çuditërisht asnjë ankesë nuk ka patur në fund të procedurës nga asnjëra prej kompanive që ofruan vlerë më të ulët.
Ndërkohë me një kërkim të thjeshtë rezulton se administratori i firmës fituese “V.A.S Konstruksion”sh.p.k. i quajtur Nestor Muhametllari ka shënuar në rrjetin social Linkedin së ka eksperiencë si inxhinier civil pranë kompanisë GENER 2. Nuk dihet nëse kompania në fjalë ka ndonjë lidhje me kompaninë fituese, gjithsesi e sigurt është se jetojmë në vendin e çudirave, aty ku një kompani me 100 lekë kapital mund të fitojë tendera prej 1,1 milionë euro nga bashkia më e rëndësishme në vend. Hallall çuna!