JOQ Albania
Home

Lleshi thyen ligjet! Kthen Policinë në Prokurori dhe do të përgjojë kë t’i teket
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 23/05/2020 17:19

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Këtë javë Komisioni i Sigurisë propozoi disa ndryshime në ligjin e Policisë, gjë që shkaktoi jo pak debate.

Bëhet fjalë për të drejtën që i jepet Policisë së Shtetit që të kryejë përgjime pa lejen e Prokurorisë dhe ministri Lleshi, argumentoi se kjo shërben për të parandaluar krimin.

Ai tha se Policia është vetë një nga organet që ka si prioritet zbatimin e ligjit, dhe mund të përdorë çdo mjet që ndihmon në parandalimin e krimit.

Ndër të tjera ai tha:

Ne s’kemi ndonjë plan për survejimin e shtetasve shqiptarë në Parlament. Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë. Kjo i krijon Policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit

Debati në komision përmblidhej në atë se projektligji i propozuar, cënonte të drejtën e qytetarëve për privatësi dhe tejkalim të kompetncave nga ana e organeve policore.

Një pikë tjetër që u diskutua ishte dhe krijimi i disa instrumenteve që shërbejnë për hetimet policore duke përdorur përgjime ambientale.

NDRYSHIMET E PROPOZUARA

1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta: a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik; b) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes; c) përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë; ç) mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale. 2. Përdorimi i masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç” të pikës 1 të këtij neni, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të Policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore. 3. Afati i përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, nuk mund t’i kalojë 3 (tre) muaj. Kur këto masa përdoren për kryerjen e veprimtarisë informative-gjurmuese ose gjatë procedimit policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar apo të krimeve të rënda, me kërkesë të drejtuesit të strukturës policore përkatëse, afati i përdorimit mund të zgjatet vetëm 1 (një) herë me 3 (tre) muaj të tjerë. 4. Rregullat dhe procedurat që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a” e “b” të pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.