JOQ Albania
Home

“Liri-dalje për pensionistët dhe prindërit me fëmijë”/ Policia bashkiake “izolon” me shirita Liqenin Artificial
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 23/05/2020 13:55

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Duket absurd vendimi i qeverisë për të dhënë liri-dalje për pensionistët edhe këtë fundjavë.

Edhe pse kishin të drejtën për të dalë deri në 10:00 të paraditës së sotme, të moshuarit dhe prindërit me fëmijë nuk kanë mundur të shijojnë disa momente në natyrë në parkun më të madh të kryeqytetit, tek liqeni artificial i cili qëndron ende mbyllur me urdhër qeverie.

Mësohet se policia bashkiake ka rrethuar parkun e Liqenit Artificial duke mos lënë askënd të shijojë momente në natyrë.

Burimet nga “BalkanËeb” bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit është bllokuar vetëm pjesa ku ndodhet palestra, ndërsa më pas në mesditë është rrethuar i gjithë parku dhe nuk është lejuar askush të shëtitë.

Të pyetur për vendimin e rrethimit të zonës me shirita sikur të ishte një skenë krimi policët bashkiakë kanë deklaruar se kanë marrë urdhër por pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Kujtojmë se ministria e shëndetësisë publikoi dje udhëzimin e plotë për këtë fundjavë, lidhur me lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve, si dhe për hapjen e aktiviteteve dhe bizneseve.

Në urdhrin e firmosur këtë mbrëmje, MSH bën me dije se edhe kjo fundjavë do të jetë e mbyllur në qytetet për pjesën më të madhe të aktiviteteve ekonomike, ku do të lejohen vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë, gjatë ditës së shtunë, deri në orën 21:00, ndërsa e diela do të jetë në izolim të plotë.