Dy shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi akuzohen se kishin ngritur një fabrikë të madhe kanabisi, e cila kishte potencialin për të prodhuar 412 mijë paund drogë.
Mediat britanike shkruajnë se bëhet fjalë për 29-vjeçarin, Orgito Asllanaj dhe 43-vjeçarin, Koi Cunaj, të cilin ishin emigrantë të paligjshëm në Britani.
Ata u kapën nga policia pranë Uellingtonit, ndërsa policia sekuestroi 491 bimë kanabisi të mbjellura në fabrikën e improvizuar.
E gjithë ndërtesa ishte ndarë në 8 dhoma, 7 prej të cilave përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike dhe një prej tyre për tharje. Teknologjia e përdorur për ndërtimin e fabrikës së kanabisit i kishte të gjitha komponentët për kultivimin e këtyre bimëve.
Gjykata e Kurorës në Exeter i dënoi dy shqiptarët, të cilët nuk kishin një vendbanim të rregullt, me një vit burg, pasi ata pranuan akuzat për kultivimin e kanabisit.
Ata do të deportohen si emigrantë të paligjshëm pasi të mbarojnë dënimin.
29-vjeçari Asllanaj u justifikua para gjykatës se kishte nevojë për të mbështetur financiarisht prindërit e tij të moshuar në Shqipëri. Hetimet zbuluan se ai kishte punuar në punë të zezë në Britani dhe se nuk ishte përgjegjësi kryesor, por vetëm një punonjës i thjeshtë, pasi nuk do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shitja e kanabisit.
Ndërsa 43-vjeçari Cunaj tha se kishte qenë pa shtëpi në Londër dhe ranë dakord të kujdesen për bimët në këmbim të ushqimit dhe strehimit.
Burimi: Wellington Today|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Orgito Asllanaj

Koi Cunaj