Vazhdojnë përsëri tenderat për blerje pajisjesh mbrojtëse anti COVID-19, ndonëse vendi gjithmonë e më tepër është duke u hapur dhe statisitkat në tërësi tregojnë se virusi po humb fuqinë e përhapjes së tij.
Kësaj rradhe është Autoriteti Portual Durrës që do të shpenzojë rreth 60 milionë lekë të vjetra me TVSH për blerje masash mbrojtëse për COVID-19. Këto masa përfshijnë 3 tipe të ndryshme maskash, doreza, alkool, pompa, veshje një përdorimshe, solucion duarsh etj.
Kontrata është nënshkruar vetëm pak ditë më parë, përkatësisht në datë 12.05.2020 dhe mban numrin e referencës REF-57165-04-30-2020. Ajo që bie në sy është se lloji i procedurës ka qenë me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, pra askush nuk ka konkurruar por tenderi i është dhënë vetëm një kompanie, që në rastin konkret rezulton të jetë OrthoNet 360 me administratore një vajzë rreth 26 vjeç.
Në fakt adminstratorja është vajza e një shefi departamenti në Spitalin Hygeia i quajtur Ergys Cami. Më datë 19.08.2017, me anë të Prokurës së Përgjithshme Nr. 3503 Rep., Nr. 1246 Kol., Znj. Kira Cami në cilësinë e Administratores së Shoqërisë “OrthoNet 360” sh.p.k., i jep kompetence Z. Ergys Cami që ta përfaqësojë në bazë të tagrave që i lejon kjo prokurë.
Pra faktikisht shefi i departamentit i Spitalit Hygeia është ai që vendos gjithçka. Në fakt kjo kompani duket se ka lidhje jo të vogla me institucionet shtetërore sepse vetem në vitet e fundit ka fituar tendera me vlerë rreth 270 milionë lekë të vjetra.