Vetëm disa ditë më parë, agjenti i Elseid Hysajt njoftoi se i kanë bërë të ditur presidentit De Laurentiis vendimin për t’u larguar nga Napoli, ndërsa sot vjen interesimi i parë për mbrojtësin shqiptar.
Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë ekip dosido, por për ekipin më të titulluar në Itali.
Është “Zonja e Vjetër” ajo që dëshiron shërbimet e shkodranit Hysaj, një mënyrë kjo për të kënaqur edhe trajnerin Maurizio Sarri, i cili e kishte Hysajn te Empoli dhe e mori po ashtu te Napoli, raporton "Calciomercato".
Pra kjo do të ishte hera e tretë që mbrojtësi kuqezi do të ishte nën urdhrat e teknikut italian, gjë e cila tregon besimin e madh që ka Sarri te talenti i Hysajt.
Për të veshur bardhezi Hysajn, Juventusi është gati të ofrojë Napolit mbrojtësin italian De Sciglio.
Këtë të fundt e ka blerë te Milani, si një kërkesë të Allegrit, por tashmë që ky i fundit është larguar, ai nuk është shumë i preferuar në Torino. Priten zhvillime të reja rreth këtij transferimi.