JOQ Albania
Home

Koronavirusi në Itali/ Rritje e lehtë e vdekjeve ditore, ulen ndjeshëm rastet e reja
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04/05/2020 18:27

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vijon të ketë luhatje bilanci i viktimave nga koronavirusi në Itali, ku sot është shënuar një rritje e lehtë e vdekjeve në krahasim me një ditë më parë.

Mbrojtja Civile raportoi se gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 195 persona, ose 21 viktima më shumë se një ditë më parë, ku u konfirmuan 174 jetë të humbura, e cila ishte dhe shifra më e ulët e vdekjeve ditore e regjistruar që prej ditëve të para të muajit mars.

Numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Itali ka arritur këtë të hënë në 29,079.

Sipas të dhënave zyrtare, numri total i të infektuarve nga koronavirusi, përfshirë edhe ata që janë shëruar dhe viktimat, ka arritur në 211,938.

Nga shpërthimi i epidemisë e deri më tani, 82,879 pacientë janë shëruar nga koronavirusi, ndërkohë që 1479 të tjerë ndodhen në gjendje kritike për jetën, në terapi intensive. Duhet theksuar për prej gati dy javësh, numri i personave të shtruar në spital dhe terapi intensive vijon të ulet.

Këtë të hënë gjithashtu janë shëruar mbi 1200 pacientë të prekur nga koronavirusi, të cilët kanë lënë ambientet e spitalit.

Ditën e sotme ka një rënie të rasteve të reja të infeksionit në krahasim me një ditë më parë. Ndërsa dje u regjistruan 1389 raste të reja, sot janë testuar pozitivë për koronavirus, 1221 persona.

Ndërkohë, numri i rasteve aktive në Itali vijon të shënojë rënie graduale për të disatën ditë me rradhë, për shkak se të shëruarit janë më shumë sesa të infektuarit e 24 orëve të fundit. Deri më tani, raportohen 99,980 raste aktive në Itali, ose rreth 300 raste më pak se dje.

Gjithsej, në Itali janë kryer gjithsej mbi 2 milion e 191 mijë teste, ku 38 mijë prej tyre janë kryer në 24 orët e fundit.

Kujtojmë këtu që e premtja e 27 marsit ishte dita më vdekjeprurëse e pandemisë në shtetin fqinj, ku u shënuan 969 viktima në 24 orë. Që prej kësaj dite numri i viktimave ditore ka rënë gradualisht, por ka pasur edhe luhatje të shpeshta.

Burimi: Il Messaggero|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania