Prokuroria e Tiranës merr nën hetim drejtorin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës Constantin von Alvensleben pasi kërcënoi bizneset që të qëndronin hapur gjatë epidemisë në kundërshtim me urdhrat e qeverisë, e ka rrogën mujore sa 8 ministra bashkë, luksi në Shqipëri, karriera e rëndomtë dhe e shkuara e dyshimtë me afera.
Prokuroria e Tiranës ka nisur sot hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv (CEO) i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben, i cili jo vetëm ka mashtruar me masat me masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit covid-19, por në kundërshtim flagrant me urdhrat e qeverisë ka detyruar operatorët që operojnë në terminal që të qëndrojnë hapur, duke i kërcënuar me kontratën që kanë.
Çfarë ka ndodhur dhe cili është roli i Constantin von Alvensleben?
Qeveria urdhëroi mbylljen e të gjitha bizneseve në Shqipëri kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së covid-19. Në këtë kuadër, u mbyllën edhe bizneset që operojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, konkretisht në datën 12 mars 2020. Po këtë ditë, Tirana International Airport me në krye Alvensleben u dërgoi një shkresë bizneseve që të qëndrojnë hapur, në shkelje të vendimeve të qeverisë dhe autoriteteve shëndetësore, duke i kujtuar atyre kontratën, raporton pamfleti.
Qëndrimi hapur i biznese do ta kthente Aeroportin e Rinasit në një vatër infektimi me covid-19 si fabrikat e Krujës. Kjo lëvizje kriminale ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës. Vetëm disa ditë më parë, Parlamenti bëri disa ndryshime në Kodin Penal, duke parashikuar deri në 8 vite burg për ata që thyejnë rregullat në kohë epidemie. Constantin von Alvensleben, si drejtues i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ka demostruar papërgjegjshmëri kriminale edhe sa i takon masave mbrojtëse të punonjësve të aeroportit, duke rrezikuar në mënyrë serioze shëndetin e tyre, të familjeve të tyre si dhe të udhëtarëve.
Për funksionin që kryen si drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv (CEO) i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Constantin von Alvensleben merr 14 mijë euro rrogë në muaj, duke sfiduar në këtë drejtim çdo zyrtar në Shqipëri. Alvensleben merr paga mujore aq sa marrin 8 ministra së bashku. Paga mujore e tij është e barabartë sa bashkimi i rrogave të Presidentit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kreut të KLSH dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Por nuk mbaron me kaq. Përveç pagës mujore 14 mijë euro, Constantin von Alvensleben merr edhe një bonos mbi 100 mijë euro në vit.
Po kush është ky person me këtë pagë marramendëse dhe çfarë ka bërë për ta merituar atë?
Constantin von Alvensleben u propozua dhe u promovua nga shoku i tij i ngushtë, ish-drejtori i TIA, Castro Vasquez, i cili në këtë mënyrë mund të vazhdonte të kontrollonte influencat e tij në aeroport. Pompoi pafund me reklamë për veten e tij, duke promovuar veten si një histori suksesi në industrinë e aviacionit, ndërkohë që CV e tij në industrinë e aviacionit është qesharake.
Përveç 1 viti punë si drejtor në 2006 në Aeroportin e Tiranës, nuk ka asnjë përvojë tjetër në drejtimin e një aeroporti. Për më tepër shikoni CV-në e tij.
Constantin von Alvensleben ka punuar në Indi, në një biznes familjar, proces i cili nuk ka të bëjë aspak me një industri specifike aviacioni apo me struktura koorporate siç është TIA.
Gjatë 15 viteve të fundit ka shitur polica sigurimi dhe ka punuar si ndërmjetësues për shitblerje pronash. Kjo duket se është edhe arsyeja se pse në Shqipëri sillet si bajraktar dhe lëshon urdhra të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për situatën ku ndodhemi, pasi nuk ia ka idenë se si drejtohet një aeroport.
Constantin von Alvensleben ka filluar punë si drejtor i TIA që në shtator të 2019 dhe që në fillim u përfol në media për një aferë të dyshimtë korruptive në Gjermani.
Ndërkohë që në këto pak muaj si drejtor i TIA-s, është përfolur për afera për pushtet, shkelje flagrante të kontratës së nënkoncesionit me qeverinë shqiptare, arrogancë dhe shkelje flagrante në drejtimin e aeroportit, gjë për të cilën prokuroria ka filluar procesin penal kundër tij. Ndërsa Constantin von Alvensleben merr paratë e tij dhe kërcënon bizneset të rrinë hapur në kohë epidemie për interesat e tij, veprimet arbitrare kanë një kosto, e cila paguhet nga shqiptarët, të cilët udhëtojnë me biletat më të shtrenjta në rajon.
