3.5 milionë euro tendera pa garë, pa transparencë, me procedura të dyshimta dhe brenda 10 ditëve. Kësaj i thonë të të buzëqeshë fati në kohën e karantinës dhe koronavirusit, apo e thënë ndryshe në kohën e mortajës.
Ndërsa qindra familje shqiptare, të izoluara për shkak të masave kundër covid-19, po luftojnë për mbijetesë dhe flenë pa ngrënë, një personazh i quajtur Sokol Topçiu, merr në mënyrë të fshehtë nga Ministria e Shëndetësisë, OSHEE dhe Posta Shqiptare rreth 3.5 milionë euro tendera. Tre tenderat kanë si objekt blerjen e materialeve për mbrojtjen personale për COVID-19.
Paratë janë marrë përmes kompanisë Farma Net Albania, e cila llokmën më të madhe e ka marrë nga ministrja e Shëndetësisë, Orgerta Manstirliu, me 21 mars, konkretisht 3.46 miliardë lekë të vjetra, bashkë me kompaninë Euromed, shkruan Pamfleti.
Disa ditë më pas kompania Farma Net Albania ka marrë edhe nga 100 mijë euro, pra 200 mijë euro në total, nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Posta Shqiptare, për furnizim me mjete mbrojtëse për “Covid-19”.
OSHEE dhe Posta Shqiptare njihen si dy drejtoritë më të korruptuara të Edi Ramës, të drejtuara nga dy bajlozë aferash. Të gjithë tenderat janë zhvilluar në fshehtësi, në kuadër të disa akteve të qeverisë që kufizojnë procedurat tenderuese për shkak të situatës së shkaktuar nga covid-19. Megjithatë, edhe në situata të tilla, ligji dikton transparencë, ndaj duhet urgjentisht ndërhyrja e Prokurorisë së Posaçme, për evidentimin e shkeljeve, ndalimin e vjedhjes në karantinë dhe ndëshkimin e ministrave dhe drejtorëve të Edi Ramës që po ‘rruajnë’ taksat e shqiptarëve në këto kohë të pazakonta.
Pas kompanisë Farma Net Albania qëndron një personazh i qujtur, Sokol Topçiu, ky që shihni në foto, i cili rezulton administrator dhe pronar. Çuditërisht kompania e themeluar në vitin 2009 ka si objekt tregtimin edhe të duhanit dhe cigareve, por edhe të medikamenteve farmaceutike. Megjithatë nuk duhet të çuditemi pasi kompani duhani kanë fituar koncensionet qindra miliona euro në shëndetësi, me dorën e Ilir Beqjas. Sokol Topçiu duket se ka pasion festat harbuese, por edhe fluturimet, me moton ‘Farma Net Albania’ gjithmonë e më lart. Sigurisht ai do të fluturojë edhe më lart pas këtyre tenderave.
Në pasionin e fluturimit, Topçiu shihet i ekspozuar pranë Alket Islamit dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, por këta dy të fundin nuk ka gjasa të kenë lidhje me tenderat në kohën e koronavirusit.
Po kush është ‘ujku i vjetër’ që fshihet pas Sokol Topçiut?
A mundet ky personazh të vërë në rresht ministren e Shëndetësisë dhe dy drejtorët më të fuqishëm të Ramës, të lëshojnë 3.5 milionë euro në pak ditë, duke rrezikuar që të merren të pandehur nga SPAK?
Në xhepat e kujt përfundojnë këto para?
Për momentin dihet vetëm se Topçiu ka dalë në skenë edhe si posedues i një rrjeti farmacish ‘FarmaNet’ në Tiranë, të paktën 11 farmaci në zona të ndryshme të kryeqytetit. Kompani e tij, pasi ka fituar tenderat, ka bërë edhe një njoftim se po ndihmon familjet në nevojë me ushqime. Pra, merr paratë e shqiptarëve me dorën e ministrave dhe drejtorëve të Edi Ramës dhe 0.01 % të këtyre parave ua dhuron familjeve në nevojë në formë ushqimesh.
Edhe të përlan paratë, edhe të blen dinjitetin me vaj dhe sheqer, duke reklamuar veten si bamirës. Kaq për sot!