E kemi thënë shpesh se kompanitë që merren me tregtimin e barnave apo edhe me farmaceutikë janë ato që përfitojnë më shumë para publike nga tenderat që bëhen në fushën e Shëndetësisë, madje ka nga ato kompani që kanë bërë miliarda lekë nga marrja e tenderave.
Disa kompani kanë filluar të kenë një rritje galopante të të ardhurave dhe të fitimit të tenderave pas ardhjes në pushtet të “Rilindjes”. Një prej këtyre kompanive është edhe Rejsi Farma e cila është nën administrimin e biznesmenes së famshme Merita Sheqi.
Kompania e Sheqit ka marrë një shifër të konsiderueshme tenderash gjatë këtyre viteve nga institucionet e ndryshme shëndetësore. Plot 403 tendera të përfituara në vitet e fundit, ku numrin më të lartë rezulton ta ketë marrë nga Ministria e Shëndetësisë me 202 të tillë, pra gjysmën e këtyre tenderave.
Shifra monetare e përfituar vetëm nga Ministria e Shëndetësisë kap totalin e 2.3 miliard lekëve. Ndërsa tenderat e tjerë i ka marrë pothuajse nga të gjitha spitalet e vendit.
Disa nga tenderat e fundit të fituara nga kjo kompani janë lote të ndryshme të bëra nga Ministria e Shëndetësisë për blerjen e barnave të ndryshme që nevojiten për spitalet e vendit.
(Disa nga tenderat e fituar në 2019)
Ndërsa sipas të dhënave të Thesarit, Rejsi Farma gjatë viteve 2015-2019 ka përfituar 17 miliardë lekë.
Duke parë së kjo kompani po i sillte të ardhura të konsiderueshme në 2014-ën, Sheqi së bashku më bashkëshortin e saj Nexhat Sheqin vendosen të hapnin edhe një tjetër kompani që ofronte shërbime farmaceutike. Kompania e re do të quhej “R&S Farma”.
Ndryshe nga Rejsi Farma, me kompaninë e re biznesmenia Sheqi ka arritur të marrë vetëm 10 tendera, ku të gjitha janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa shumë e përfituar nga buxheti i shtetit është shumë e vogël në krahasim me Rejsi Farma.
Deri tani vetëm 59 milionë lekë ka marrë kjo kompani, por duke parë edhe rritjen e konsiderueshme që ka bërë kompania e parë e Sheqit, mbetet për t’u parë nëse edhe e dyta do të ndjekë hapat e të parës.
Edhe pse hidhen miliarda lekë nëpër tendera me idenë për të shkuar drejt përmirësimit të kushteve nëpër spitale duke ofruar barna apo produkte të tjera, pamjet në shumë spitale apo qendra shëndetësorë tregojnë të kundërtën, pasi jo vetëm ambientet lënë për të dëshiruar nga kushtet, por edhe nga shërbimi që ata ofrojnë.