“Unë nuk njoh zot”/ Zbardhet ‘testamenti i Nexhmije Hoxhës, mohon djalin dhe shan nusen e tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.02.2020, 18:40

Është publikuar letra e testamentit të gruas së diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila u nda nga jeta pasditen e djeshme në moshën 99-vjeçare në banesën e saj në Laprakë.

Në testamentin e publikuar nga "Dita" vihet re se Nexhmija në asnjë moment nuk përmend Liljanën, nusen e djalit të saj, Sokolit.

Ajo përmend vetëm Ilirin dhe Pranverën, djalin dhe vajzën tjetër të saj, bashkë me pasardhësit e tyre.

Nexhmija vetëm njëherë e përmend djalin e saj, Sokolit në letër, ndërsa shan nusen e tij, Liljanën, por pa e përmendur me emër.

Po ashtu, në letër ajo nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimet e komunizmit, duke i legjitimuar veprimet e Enver Hoxhës si të duhurat.

Mësohet se Sokoli nuk i ka shkuar në varrim të ëmës së tij.

"Unë nuk njoh zot", thekson Nexhmije Hoxha, e cila është akuzuar si bashkëpunëtore në krimet e komunizmit.

Ndër të tjera në letër shkruhet:

Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”. Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.

Letra e plotë:

Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,

Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo! Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria, ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton! Ky “bekim” nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt, dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.

Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në shoqëri.

Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.

Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të shkatërruar, pa drita e ujë.

Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të Tepelenës. Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd, si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si bir i denjë i Enverit.

Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën.

Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur, bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë, këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës. Krahas punimeve për t’i bërë disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj, për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime, kur isha në burg.

Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë arrestimit e burgimit të Ilirit. Si për çdo grua shqiptare burgosja e burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.

Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit: “Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.

Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e degradimin e fundit politiko-moral.

Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo. Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj… Të gjitha këto më shkaktuan një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste, nën udhëheqjen e tij.

Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini, në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën, është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!). Përkundrazi jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse” nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris). Për lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me dhjetëra e dhjetëra letra.

Por unë nuk u lëshova edhe pse pata mbështetjen e ngrohtësinë e Ilirit e Pranverës, Teutës e Klemit si dhe të fëmijëve të tyre, po ashtu dhe të shumë shokëve e shoqeve, miqve e dashamirësve të familjes së Enverit.

Duke qenë ende në burg, Klemi më tha: “Ti ke në dispozicion shtëpinë tonë që na kanë dhënë nga Lapraka, do të jesh pranë Ilirit, deri sa të rregullohemi të vijmë edhe ne”. Klemi dhe Pranvera, për veten e tyre, me vite jetuan si mos më keq nëpër shtëpitë e njerëzve të tyre bujarë, duke fjetur në divane e krevatë portativë. Po për shërbimet, ndihmat e përkujdesjet e Klemit e Pranverës, nuk po zgjatem në këtë letër, që po e shkruaj më shumë për ju të dy, Ilir e Teuta.

Të dashur Ilir e Teuta,

Desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i mbyllur.

Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje, brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver Hoxhës.

Po e mbyll këtë letër edhe një herë me urimin: Rrofshi e qofshi të gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën!

Ju përqafoj me dashuri mëma juaj, Nexhmije

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit