Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar në rrjetin social 'Facebook' në lidhje me ngjarjen e bujshme që ndodhi pak ditë më parë në Liceun Artistik 'Jakov Xoxa' në Fier. Një skandal seksual shpërtheu, ku kryefjala e saj ishte profesori 'zhigolo' Agron Bego.
Mirëpo, Shahini në vend që të merret me fenomenin dhe të marrë masa konkrete për rastin e jo vetëm, kapet me mediat duke i akuzuar për shpërndarjen e lajmit. Njëjtë si shefi i madh, ajo përdor fjalën 'kazan' për mediat që publikuan fenomenin.
Kujtojmë që pak ditë më parë disa aktivistë kërkuan me protestë dorëheqjen e Shahinit si ministre e Arsimit.
Reagimi i Shahinit:
Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit. Kam mbi dy vite në Shqipëri që shoh jetët e grave dhe vajzave të shkatërrohen nën peshën e kazanit mediatik, dhe jo vetëm! Të gjithë ne kemi detyrimin të ngrejmë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur. Por në këtë proces nuk guxojmë të thellojmë dëmin ndaj të dëmtuarit. Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet! Sidomos në shkollë! Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë! Dua të nënvizoj edhe një herë: shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për përfitim të vëmendjes është abuzim në vete. Ndaj edhe këtë formë të abuzimit do të bëj çmos ta luftoj!