Një protestë pritet që të ndodhë në datën 23 Shkurt në orën 10:00 pikërisht kundër ndërtimit të HEC-ve Sekë dhe Zais, në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj. Madje, postimi i këtij tubimi është shpërndarë në rrjete sociale, konkretisht në mbrojtje të lumenjve.
Motoja e tyre është: Lërini lumenjtë të rrjedhin! Uji është jeta, ta mbrojmë atë!
Protestuesit theksojnë se ndryshe nga çfarë josh kompania private me rrugë dhe zhvillim, këto ndërtime do t’i sjellin zonës vetëm shkatërrim duke e zhveshur atë krejtësisht nga vlerat ekologjike.
Më tej, zhvillohet edhe internerari i tubimit të mbajtur nga të gjithë protestuesit, kështu që kushdo që ka dëshirë të bashkohet le të lexojë njoftimin e tyre.
"I marrtë lumi hec-et dhe jo hec-et lumenjtë!"- përfundon postimi.
Postimi në Facebook:
Lërini lumenjtë të rrjedhin! Uji është jeta, ta mbrojmë atë!
Në kushte padrejtësie dhe paligjshmërie, në vazhdën e rezistencës 1 vjeçare banorët e Matit dhe zonave përreth organizojnë protestën e rradhës në mbrojtje të lumenjve në datë 23 shkurt 2020, në orën 10.00 në fshatin e Zall-Gjoçajt.
Mëngjesin e ditës së dielë, ora 06.00 nisemi nga Kamza drejt fshatit të Zall-Gjoçajt për të shprehur edhe një herë kundërshtimin e ndërtimit të këtyre hec-eve dhe për t’i bërë thirrje shtetit dhe kompanisë private që të ndalojnë mënjëherë punimet në këtë zonë të mbrojtur.
Ndryshe nga çfarë josh kompania private me rrugë dhe zhvillim, këto ndërtime do t’i sjellin zonës vetëm shkatërrim duke e zhveshur atë krejtësisht nga vlerat ekologjike, duke dëmtuar florën e faunën dhe duke detyruar banorët ta braktisin vendin e tyre duke u hequr atyre të vetmin burim uji dhe jete.
Prej Valbonës e deri në Vjosë asnjë hec nuk ka kaluar pa protesta! Përgjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri janë miratuar rreth 714 hidrocentrale, ku 223 prej tyre janë miratuar vetëm në 3 vitet e fundit. Ndër ta bëjnë pjesë hec-et Sekë dhe Zais, të cilët do të ndërtohen në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe Zallit të Melthit, për interes të firmës koncensionare “Seka Hidropoëer”.
Pa zhvilluar konsultime publike me banorët që preken drejtpërdrejt, me një devijim rreth 2 km të lumenjve të Urakës dhe Zallit të Melthit, me ndërtime brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar Lurë-Mali i Dejës dhe në mungesë të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) për pyllëzimin dhe shpyllëzimin, kjo kompani në shkelje të ligjit dhe konventave ndërkombëtare është lejuar të zhvillojë ndërtimet për hec-et Sekë dhe Zais.
Bashkohemi në Zall-Gjoçaj në mbrojtje të drejtës së jetës dhe të mjedisit.
I marrtë lumi hec-et dhe jo hec-et lumenjtë!