Vrasësi serial Robert Maudsley mbahet në burg komplet i vetmuar prej më shumë se katër dekadash, pasi ka reputacionin si një nga burrat më të rrezikshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai ishte vetëm 21 vjeç kur kreu vrasjen e tij të parë në vitin 1974 dhe vrau edhe tre persona të tjerë ndërsa ishte në burg.
Në moshë të re, ai filloi të blinte drogë me të ardhurat që fitonte si zhigolo. Viktima e tij e parë ishte një klient i quajtur John Farrell, i cili i kishte treguar Maudsley fotografi fëmijësh me të cilët kishte abuzuar seksualisht.
Pas vrasjes, Maudsley u burgos përjetë dhe u dërgua në spitalin Broadmoor, ku vrau një të burgosur duke përdorur një lugë të mprehur, një brutalitet që i dha atij pseudonimin, Kanibal.
Maudsley, nga Toxteth në Liverpool, u transferua në burgun e sigurisë së lartë Wakefield në Yorkshire, ku kreu dy vrasje të tjera në vitin, 1978.
Në këtë pikë stafi në burg e kuptoi që Maudsley ishte shumë i rrezikshëm për të mbetur në mesin e të burgosurve të tjerë dhe vendosi se e vetmja zgjidhje ishte ndërtimi i një qelie të veçantë për të.
Qelia e ndërtuar për Maudsley në vitin 1983, është 5,5 metër me 4,5 metër dhe ka xhama rezistente ndaj plumbave si edhe një ngjashmëri të lartë me burgun, (kafaz prej qelqi) ku u mbajt Hannibal Lecter në 1991 te filmi “Silence of the Lambs”.
Sipas “ The Guardian”, brenda ka vetëm një shtrat, një tavolinë dhe një karrige, së bashku me një tualet dhe një lavaman.
Ka edhe një derë e fortë prej çeliku me një çarë të vogël drejt pjesës së poshtme ku rojet kalojnë ushqimin dhe sende të tjera për Maudsley.
Sipas një raportimi të “The Guardian” për vitin 2003, Maudsley mbahet në qeli për 23 orë në ditë, dhe shoqërohet në oborr nga gjashtë oficerë të burgut për orën e ajrimit, ndërsa atij nuk i lejohet asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë.
Në vitin 2003 Maudsley shkroi:
Autoritetet e burgut mua më shikojnë si një problem dhe zgjidhja e tyre ishte të më vendosnin në një qeli të vetmuar duke hedhur tutje çelësin dhe duke më varrosur për së gjalli në një “arkivol” prej betoni. Më ka ngelur vetëm të vegjetoj dhe të bëj regres; më mbetet vetëm të përballem me kokën time të vetmuar me njerëz që kanë sy por nuk shikjnë, që kanë veshë por nuk dëgjojnë, që kanë gojë por nuk flasin. Jeta ime në vetmi është një periudhë e gjatë depresioni e pandërprerë".
Marrë nga:Ladbible Përshtati dhe Përktheu: JOQ Albania