Është viti 2020, dhe shqiptarët akoma vazhdojnë të vuajnë për ujë. Në çdo fushatë politikanët premtojnë se do e sjellin ujin 24 orë në ditë, por kjo gjë nuk ka ndodhur akoma dhe ndoshta do të duhen dhe disa dekada që shqiptarët të kenë ujë 24 orë në ditë. Shumë bashki kanë bërë ndërhyrje në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, por akoma nuk ia kanë dalë ta sjellin burimin e jetës ashtu siç e kanë premtuar.
Një nga bashkitë që ka hapur më shumë tendera për këtë pjesë është Bashkia e Tiranës e cila e ka nisur 2020-ën dukë dhënë dy tendera për ndërtim rrjetesh ujësjellësi. Por ajo çfarë bie në sy nga këto dy tendera është fakti se i janë dhënë një kompanie dhe se në të dy tenderat janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit përveç fituesit i cili është “L.T.E CONSTRUKSION”.
Në tenderin e parë me objekt “Ndërtim rrjet ujësjellësi ne Rr.'Xhorxhi Martini', 'Jeronim De Rada', 'Myrteza Këlliçi'” me një fond prej 100 milionë lekësh, fituesi u shpall “L.T.E CONSTRUKSION”, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në këtë tender u skualifikuan, me arsyet se nuk kanë plotësuar kushtet e tenderit. Përveç faktit që janë skualifikuar pjesmarrësit e tjerë në garë, ajo çfarë vërehet është se të treja kompanitë janë skualifikuar me të njëjtën arsye. Sipas APP-së, arsyeja e skualifikimit të tyre është se “dokumentacioni i paraqitur është i paplotë”.
Ndërsa tenderi i dytë ka si objekt “Ndertim stacione monitorimi uji në 38 pika në qytetin e Tiranës” dhe do t’i kushtojë qytetarëve të Tiranës, 46 milionë lekë. Ashtu si edhe në të parin, edhe në këtë tender garuesit e tjerë janë skualifikuar. Kompania e drejtuar nga Artur Caushaj ka fituar në dy vitet e fundit, disa tendera me një shifër totale prej 610 milionë lekësh.JOQ ALBANIA