Nga Besnik Mustafaj
Siç është marrë vesh gjithandej, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij Edi Rama, ka paditur pranë Gjykatës së Prishtinës Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e tij Ramush Haradinaj. Është fjala për një padi civile, nëpërmjet të cilës, me sa duket, shkëlqesia e tij Edi Rama (paditësi) kërkon të vërë në vend nderin e humbur për shkak të deklarimeve publike të shkëlqesisë së tij Ramush Haradinaj (i padituri). Siç është në zakonin e tij, paditësi kërkon nga i padituri edhe një dëmshpërblim material, vlera e të cilit nuk është bërë e ditur. Sepse nderi i humbur i shkëlqesisë së tij Edi Rama e ka doemos një çmim.
Duke e njohur paditësin sa të rëndë e ka dorën kur është fjala për të holla, ka vend të hamendësohet se ky dëmshpërblim do të jetë i majmë. Sipas paditësit, i padituri paska shpifur kur e ka përfshirë me Presidentin e Serbisë Vuçiç dhe Presidentin e Kosovës Thaçi si sponsor të projektit për shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës. Madje, i padituri e paska quajtur edhe tradhtar, gjë që e ka lënduar shumë krenarinë patriotike të paditësit.
Me pak argëtim gjuhësor nga ana ime, kjo është tabloja. Në rrjetet sociale kanë shpërthyer menjëherë, në mënyrë epidemike, reagimet e shqiptarëve ndaj Edi Ramës, me shkak këtë padi. Me këtë rast u thanë e po vazhdojnë të thuhen një mijë e një të zeza, të cilat, në përgjithësi janë damkosje morale ndaj Kryeministrit të Shqipërisë. Pra, i përkasin së njëjtës tipologji ligjërimi, ndaj së cilës ai është përgjigjur duke thirrur në ndihmë Gjykatën. Në qoftë se Edi Rama do të reagojë edhe ndaj tyre ashtu siç ka reaguar ndaj Sali Berishës, ndaj disa gazetarëve të njohur e tani së fundmi ndaj Ramush Haradinajt, me siguri që dëmshpërblimet do t’i jepnin një pasuri të dytë, të përafërt me këtë që ka bërë si Kryeministër.
Aspekti moral i kësaj padie nga ana e Edi Ramës kundër Ramush Haradinajt ka sigurisht vendin e vet në këtë casus dhe ngjall dashje pa dashje emocione të trazuara te shumica e shqiptarëve. Por mua më duket i dorës së dytë ky aspekt krahasuar me domethënien e parë, duke pasur parasysh funksionet publike të paditësit dhe funksionet publike të të paditurit. Në këtë qasje nuk ka më fare vend për pyetjen nëse ka shpifur apo jo i padituri. Unë kurrë nuk kam dëgjuar dhe besoj se nuk ka ndodhur kurrë që Kryeministri i një vendi sovran të padisë në një gjykatë vendore Kryeministrin e një vendi tjetër sovran për deklarata, të cilat i padituri i ka bërë publikisht, gjithnjë të lidhura vetëm me ushtrimin e funksionit të tij si kryetar i qeverisë së vendit të vet. Dhe konkretisht, Ramush Haradinaj, në dijeninë time, nuk e ka përmendur as edhe një herë të vetme Edi Ramën për diçka përkitazi me jetën e tij private. Pra, kanë qenë gjithmonë të shpeshta dhe kështu do të jenë edhe në të ardhmen rastet kur kryetari i një qeverie është ndierë i lënduar nga vlerësimet e homologut të një vendi tjetër. Kjo padi e Edi Ramës duhet të jetë një risi për t’u shënuar në analet e diplomacisë.
Në një përpjekje të sinqertë për të kuptuar si ka arritur Kryeministri ynë te ky akt, më vjen ndër mend një pyetje elementare: Si e ka lejuar këshilltari i tij juridik? Sepse, ne që e njohim Edi Ramën qysh në rini, jemi të qartë: Edi Rama nuk e ka ditur që një gjë e tillë nuk bëhet. Edhe pse me një përvojë më shumë se njëzetvjeçare në politikë dhe duke mbajtur qysh në fillim e vazhdimisht përgjegjësira shtetërore vetëm shumë të larta, fakt është se ai në kokën e tij nuk është bërë shtetar. Aq më pak burrë shteti. Pavarësisht përgjigjes së kësaj pyetjeje, do të thosha me bindje se një akt i tillë zbulon se Edi Rama, në vetëdijen e tij prej megalomani, Kosovën nuk e sheh aspak si një shtet të pavarur e sovran. Dhe kjo është seriozisht shumë e rëndë. Në vetëdijen e tij, Kosova është hiç më shumë se një prefekturë e trembëdhjetë në çifligun e tij, madje një prefekturë krejt e prapambetur, njerëzit e së cilës nuk meritojnë respekt. Por që ai, në stilin e tij për ta shndërruar gjithë kohën qeverisjen e vet në teatër, shkon në Gjykatë për t’u treguar edhe atyre “të prapambeturve” se sundon përmes shtetit ligjor. Përndryshe, ndaj cilit kryetar qeverie të një shteti tjetër do të mund të sillej ai në këtë mënyrë? Një miku im, i cili e ka të zhvilluar sensin e formulimeve cinike, më tha se tani e ka radhën të paditet në Gjykatën e Teheranit Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, sepse edhe ai ka shpifur keq para pak ditësh dhe Rama nuk do t’ia falë.
Është njerëzore që Kryeministri i një vendi të ndihet edhe personalisht i lënduar në sedër nga deklaratat publike të Kryeministrit të një vendi tjetër, pavarësisht se ç’është thënë nuk prek jetën e tij private, siç del të jetë ndierë i lënduar Edi Rama nga analizat apo vlerësimet e homologut të tij kosovar, lidhur me projektin famëkeq për shkëmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë si mënyrë për të arritur te një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve. Por një lëndim të tillë, sado i dhimbshëm të jetë ai, njeriu Edi Rama duhet ta mbajë për vete si një nga plagët e shumta, me të drejtë apo jo, që merr gjithkush ngjitet atje lart. Plagë të tilla janë pjesë e fatit të udhëheqësit. Cenimi i nderit të kryetarit të qeverisë është vetvetiu gjithmonë cenim i nderit të shtetit, të cilin udhëheq ai, që do të thotë se është cenim i nderit të secilit qytetar të këtij vendi, qoftë ky mbështetës apo jo i Kryeministrit të vet. Legjislacioni ndërkombëtar nuk ka parashikuar ende ndonjë gjykatë mbikombëtare për t’u ankuar kryeministrat sedërlinj. Në rrethana të tilla, shteti ka instrumentet e veta të provuara nga historia për të mbrojtur nderin e Kryeministrit, si mbrojtje që shteti i bën nderit të vet dhe njëherësh nderit të të gjithë qytetarëve të tij pa dallim.
Në rastin e Edi Ramës, sikur ky të ishte një Kryeministër normal, këto instrumente shtetërore do të ishin: përgënjeshtrim zyrtar nëpërmjet zëdhënësit të qeverisë i deklaratave të Kryeministrit të Kosovës. Dhe në qoftë se ky përgënjeshtrim do të rezultonte i pamjaftueshëm për të çuar nderin në vend duke zbuluar të vërtetën, reagimi do të përshkallëzohej. Sepse opinionit publik si në Shqipëri edhe në Kosovë i intereson vetëm e vërteta. Sedra e lënduar e njeriut Edi Rama është çështje e përjetimeve të tij private, pa asnjë rëndësi për opinionin publik. Vetëm autoriteti i tij si qeverisës ka rëndësi dhe këtë autoritet, kur e drejta është në anën e tij, ka detyrim ekskluziv ta mbrojë shteti me instrumentet e veta. Tensioni, qoftë ai edhe verbal midis dy kryeministrave, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse tension midis dy shteteve. Pra, kur nuk mjafton përgënjeshtrimi zyrtar, Kryeministri ka edhe një qind rrugë të tjera, njëra më e fortë se tjetra, për t’u kundërpërgjigjur me dinjitet, që fillojnë me notën e protestës e shkojnë deri te shpallja e luftës ndaj shtetit tjetër.
Por zgjidhje të tilla diplomatike hyjnë në veprim kur Kryeministri i lënduar është prej vërteti burrë shteti dhe njeri normal. Shto në këtë rast edhe që ai duhet ta njohë si sovran shtetin ku qeveris i padituri. Edi Rama, siç dëshmohet edhe një herë, nuk është në këto kushte. Ai nuk është as burrë shteti, as njeri normal dhe as nuk e njeh Republikën e Kosovës si shtet sovran. Rrjedhimisht, me padinë e tij është bërë qesharak, duke hedhur stërkalat e këtij turpi mbi shtetin tonë dhe të gjithë ne. Por kjo është e keqja më e vogël. Duke injoruar sovranitetin e Republikës së Kosovës si shtet, ai shkel me të dyja këmbët një detyrim të madh që i buron nga preambula e Kushtetutës, mbi të cilën është betuar dy herë radhazi kur ka marrë mandatin e Kryeministrit.