Pas një investigimi, Report Tv ka zbuluar se pas kompanisë “Fly Ernest” fshihet familja Xhelo, njëlloj si te kompania “Belle Air”. Kjo menaxhere e re që bisedon me një grup gazetarësh të huaj e ju tregon vlerën dhe potencialin e kompanisë “Fly Ernest” quhet Ilza Xhelo dhe është një shqiptare 35-vjeçare.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze “Il Sole 24 ore” Ilza Xhelo është prezantuar si bashkë-themeluese e shoqërisë “Fly Ernest”, shoqëria ajrore e themeluar në Itali në nëntor të vitit 2015 me kapital italo-danez dhe deri para pak ditësh e lidhte Italinë e Shqipërinë me 9 fluturime në ditë.

Por “Fly Ernest”-it, e mbytur në borxhe dhe parregullsi, i është pezulluar licenca nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil më 29 dhjetor dhe nga 11 janari ka ndërprerë të gjitha fluturimet duke përfshirë edhe ato të Shqipërisë, e duke krijuar panik tek mijëra qytetarë.
Një makth i tillë është përjetuar në Shqipëri në tetor 2014, kur i njëjti skenar identik është përsëritur për kompaninë “Belle Air”, kur 53.000 pasagjerë u mashtruan për shkak të falimentimit misterioz të shoqërisë, që solli arratisjen e dy pronarëve jashtë vendit dhe të linin pas 56 milionë euro.


Pronari i “Belle Air”-it quhet Ilir Xhelo dhe administratori i kompanisë është Arbi Xhelo. Sikurse dëshmon ky dokument i zbuluar nga Shqiptarja.com, Ilir dhe Arbi Xhelo janë përkatësisht babai dhe vëllai i vajzës së re dhe të guximshme Ilza Xhelo, e cila tani në mënyrë misterioze ka arritur te jete në krye të kompanisë “FlyErnest” dhe kështu e implikuar edhe në këtë mashtrim të dytë në dëm të shqiptarëve.

E themeluar në vitin 2005, pak muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, me Lulzim Bashën ministër Transporti, “BelleAir” është përfolur për shumë vite si një kompani e lidhur me Partia Demokratike. Te gjithë e kujtojnë mes të tjerash një ofertë biletash falas për shqiptarët që duhej të vinin në Shqipëri për të votuar Lulzim Bashen si kryetar të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet e vitit 2011.

Pavarësisht regjimit të monopolit me të cilin ka punuar për rreth 8 vite, ”BelleAir” kishte mbledhur një borxh prej 56 milion euro me Drejtorinë e Tatimeve dhe me furnitorë nga më të ndryshmit, dhe çuditërisht në pak javë pas largimit nga pushteti i Partisë Demokratike, kompania e fluturimeve ‘Belle Air’ me pronar Ilir Xhelon, u shiti 52 mijë bileta shqiptarëve, mori lekët dhe ia mbathi deri Italisë. Qytetarët që kishin blerë biletat dyndën drejt dyerve të kompanisë, ku kërkonin kthimin e parave mbrapsht.
Sot në në këtë ditë, në krye të procedurës falimentare të ‘BelleAir’ që ende vazhdon, çuditërisht është emëruar Shpresa Breçani, vajza e motrës së Sali Berishës. Tani pas Ilir Xhelos, del në skenë vajza e tij, Ilza Xhelo, që është nyja lidhëse mes ‘Belle Air’ dhe ‘Fly Ernest’. Ajo ishte drejtoresha tregtare për Evropën e kompanisë “Belle Air”, me pronar babain e saj.

Në 15 tetor të 2015, gati dy vjet pas mashtrimit dhe falimentimit të ‘Belle Air’, themelohet në Itali kompania ajrore ‘Fly Ernest’. Ilza Xhelo zyrtarisht është shefja e departmentit tregtar dhe financiar, por prezanton veten si bashkëthemeluese e kompanisë së fluturimeve dhe flet për planet ambicioze në të ardhmen duke folur tamam si një nga bashkpronare, duke forcuar keshtu dyshimet se pas ‘Fly Ernest’ fshihet familja Xhelo dhe ndoshta edhe lekët e fituar nga falimenti i ”BelleAir”-it .Kompania ‘Fly Ernest’ nisi fluturimet në Shqipëri në vitin 2016. Në ceremonë në Rinas përballë avionit të ‘Fly Ernest’, siç duket në këtë foto, Ilir Xhelo shfaqet shumë i gëzuar me duart lart.

Të gjithë pasagjerët tani duhet të bëjnë aplikimin për rimbursim të çmimit të biletës tek faqja zyrtare e kompanisë’. Një procedurë e ngjashme me atë që kishte filluar “BelleAir” dhe që vazhdoi disa javë deri në shpalljen e falimentimit.

Atëhere rimbursimi u ndërpre dhe miliona euro të arkëtuar nga familja Xheko u zhdukën. Pavarësisht precedentit as autoritetet italiane ku është regjistruar kompania “FlyErnest”, as autoritetet shqiptare, nuk kanë mundur ta parandalojnë mashtrimin e dytë, ndërsa Prokurori nuk ka mundur të ndëshkojë dhe konfiskojë pasuritë e Ilir Xhelos.
Të paktën deri tani.


