Polici Vllaznim Hamdia, i dyshuar për vrasjen e Lulzim Spahiut, është sjellë nën masa të rrepta të sigurisë në Gjykatën e Gjilanit.
Ai ka rrëfyer momentin kur ka gjuajtur me armë në drejtim të tashmë të ndjerit Lulzim Spahiu, transmeton JOQ Kosova.
“Në momentin kritik nuk kam qenë i dehur, pasi që para atij momenti kam pirë. Por, rasti ka ndodhur pas 6 apo 7 ore”, ka thënë ai para gjykatësit gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Polici i dyshuar tutje ka rrëfyer se viktimën nuk e ka njohur dhe se kurrë nuk e ka takuar.
“Kur ka ndodhur aksidenti jam kërcënuar nga pasagjeri i cili ka qenë në kamion. Momentin kritik i kam pasur tri revole, njëra nga to ka qenë me gaz, revolen zyrtare e kam pasur në brez dhe nuk e kam pasur uniformën veshur. Unë kam shkrepur me armë zyrtare, por nuk e kam pasur qëllim ta godas viktimën”.
Ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë ka ndodhur derisa Vllaznim Hamdia ishte duke lëvizur me veturën e tij shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Lulzim Spahiu.