Një tjetër aksident është regjistruar paraditen e sotme në rrugët shqiptare, pas dy aksidenteve në Rubik dhe Elbasan.
Mësohet se tre automjete janë përfshirë në një aksident në autostradën Lezhë-Milot, pranë vendit të quajtur "Kryqëzimi i Rriles".
Fatmirësisht nga aksidenti nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Një qytetar ka dërguar edhe video nga vendi i ngjarjes, ku shihet automjeti i aksidentuar që ka përfunduar në kanal.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Tre aksidente janë shënuar brenda pak orësh në vend, ku më i rëndi ishte ai që ndodhi në "Rrugën e Kombit", ku një automjet u përplas me një autobus.
Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë humbi jetën drejtuesi i makinës që u nda më dysh nga përplasja dhe u plagosën tetë pasagjerë të autobusit.