Disa lëvizje të shpeshtuara kohëve të fundit të shtetasve rusë në Kosovë, kanë shqetësuar kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar vigjilencë dhe kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës.
Ai duke theksuar se Rusia ka për qëllim t’i realizojë agjendat e saj edhe në Kosovë, ka përmendur disa herë nevojën për vigjilencë, transmeton JOQ Kosova.
“Mos lejoni që të krijohet vakuum që të shfrytëzohet prej armiqve të rendit publikë dhe të sigurisë, të përfitojnë edhe terrorizimi, por edhe mekanizma që janë të motivuar armiqësisht ndaj Kosovës. Në të kaluarën e kemi pasur rrezik të terrorizmin, por të mos harrojmë edhe ndikimin rus në Ballkan, dëshirën e tyre që agjendat e tyre t’i plasojnë në Ballkan dhe në Kosovë”, u është drejtuar krerëve të organeve të sigurisë në Kosovë, Ramush Haradinaj.
Lidhur me lëvizjet më të shpeshta të shtetaseve rus në Kosovë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka thënë se, “ajo është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj në të gjitha rastet i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka”.
Po ashtu, në përgjigje thuhet “se në rastet kur personat e huaj, mund te bien ndesh me ligjin, apo kryejnë veprimtari të kundërligjshme, Policia e Kosovës ndërmerr veprimet e saj në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente të sigurisë dhe organet e drejtësisë”.