Paketa ‘Anti-Shpifje’, Tupja i kërkon Ramës të shkojë në Prokurori për t’u vetëkallëzuar si autor i një fyerjeje publike

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 24.12.2019, 19:57

Nga Edmond Tupja

Jo, jo, o lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm, nuk ju kanë bërë sytë, prandaj ju lutem të mos i fërkoni: Fjala është vërtet për një ftesë që dikush të shkojë e të kallëzojë ndershmërisht e parimisht vetveten në Prokurori.

Përsëri pandehni se po ju bëjnë sytë? Atëherë, që të merrni vesh se ku dua të dal, ju lutem të vazh- doni qetësisht leximin e kësaj rubrike sa të përjavshme, aq edhe të pafajshme.

Para disa ditësh, të mërkurën që kaloi, Kryeministri Rama, gjatë se- ancës plenare në Kuvend bëri një demonstrim të shkëlqyer të gojëtarisë së tij, pra, të dhuntisë së tij gojore, për t’i treguar opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar se ai, duke paraqitur për miratim në Kuvend ligjin “antishpifje”, nuk po shtyp lirinë e shtypit të shkruar as atë të mediave elektronike në Republikën Rrethanore të Shqipërisë. Populli i urtë shqiptar mësoi kështu se të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe të tjera më gjerë e paskan një ligj të tillë kundër shpifjeve, madje edhe kundër fyerjeve.

Me këtë rast, edhe unë, si shqiptar dhe qytetar me të drejta të plota në atdheun tim botërisht problematik, si publicist modest e bir gazetari profesionist, po e ndiqja me vëmendje të vendosur ligjërimin gojor të Kryeministrit Rama derisa, në një çast, sesi lëviza dhe zura keq njërin prej gishtave të dorës së majtë, aq sa mend klitha nga dhimbja.

Teksa e fërkoja, m’u kujtua, falë një shoqërimi të thjeshtë mendimesh, shkrimi im i para një jave me titull “Gishtoja”, në të cilin komentoja atë gjest që Kryeministri Rama bëri publikisht në sheshin gungaç “Skënderbej” të kryeqytetit tonë ku, kishte ardhur të ndizte dritat e Bredhit Bredharak të Vitit të Ri. Një gjest krejt i pahijshëm e i padenjë për një Kryeministër, i cili ngriti gishtin e mesit të dorës (pra, jo të këmbës) në drejtim të atyre që kishin thirrur “Rama ik!”.

A nuk përbënte e a nuk përbën ende sot e kësaj dite ky gjest një fyerje për këdo, të cilit i drejtohet, ndërkohë që, po e përsëris, të mërkurën e shkuar, ai, Kryeministri Rama, u shpalli një luftë të pamëshirshme fyerjeve dhe shpifjeve, duke valëvitur krenarisht flamurin e ligjit “antishpifje”?

Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, nëse do të dëshironte të ishte bindës dhe, sidomos i besueshëm në këtë drejtim, Kryeministri Rama duhej patjetër të bënte një mea culpa, pra, të pranonte se edhe ai ka fyer me fjalë e me gjeste, jo vazhdimisht, por gjithsesi herë pas here, këtë apo atë personazh politik, këtë apo atë njeri, qoftë ky edhe fare i zakonshëm.

Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, nëse vërtet do të dëshironte të ishte bindës dhe, sidomos, i besueshëm në këtë drejtim, Kryeministri Rama do të bënte mirë ta dëshmonte edhe më vendosmërisht seriozitetin e padiskutueshëm të nismës së tij për të luftuar fyerjen dhe shpifjen si dukuri krejt të dëmshme për klimën shoqërore të një shteti, duke… duke marrë me të dyja duart guximin dhe vendimin për t’u paraqitur personalisht në Prokurori e për t’u vetëkallëzuar si autor i një fyerjeje publike me atë gisht të mesit që përmenda më lart.

Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, nëse vërtet do të vepronte kësisoj, Kryeministri Rama do të fitonte moralisht shumë pikë në sytë e popullit të urtë shqiptar, por edhe do t’i stepte kundërshtarët e tij politikë, të cilët do të mendonin: “Pa vijon nga faqja 1 shiko! Kur kallëzon vetveten në Prokurori, ç’i ka ai të tjerët?”. Mirëpo, dikush, me ose pa shaka, mund të hidhet e të më thotë se ligji “antishpifje” mund të mos ketë fuqi prapavepruese, kështu që Kryeministri Rama nuk ka pse të shkojë e të vetëkallëzohet vullnetarisht në Prokurori.

Në këtë rast, zonjës apo zotërisë në fjalë do t’i jepja këtë përgjigje: “Po, kjo mund të jetë e vërtetë, por tani që ligji “antishpifje” ka hyrë në fuqi, Kryeministri Rama mund të fyejë dikë (edhe mua personalisht, pse jo?) ose të shpifë ndonjë gjë të vogël për dikë (edhe për mua personalisht, pse jo?) për t’u vetëkallëzuar vetëm me synim që t’i tregojë botës shqiptare dhe asaj të huaj se në Republikën Rrethanore të Shqipërisë të gjithë qytetarët, vipa apo anonimë qofshin ata, përherë të barabartë para ligjit, duke u vetëkallëzuar periodikisht për fyerje dhe shpifje, do ta pastronin dhe do ta ngrinin në piedestal figurën e tyre morale duke e kthyer kështu vetëkallëzimin e fyesit apo të shpifësit në një katarsis e virtyt demokratik psikologjikisht shumë të dobishëm, sidomos për klasën politike dhe veçanërisht për pushtetarët.

Si përfundim, o lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm, përse të mos ëndërrojmë të gjithë së bashku ose edhe veç e veç, që fyesit e shpifësit, nga njëra anë, dhe viktimat e tyre, nga ana tjetër, të këmbejnë kohë pas kohe vendet me shoqi-shoqin në mënyrë që një ditë të bukur ne, shqiptarët, të organizojmë, për herë të parë në botë, një kampionat kombëtar vetëkallëzimi vëllazëror të jashtëzakonshëm që do të na e kishin zili edhe vetë jashtëtokësorët?

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit