Pak momente më parë është zhvilluar një protestë para Prokurorisë së Përgjithshme.
Raportohet se shoqëria civile e mori këtë iniciativë, ku me pankarta në duar u shfaqën para godinës dhe në to shkruhej: Duam drejtësi!, duke iu referuar viktimave të tërmetit.
Kjo protestë e heshtur u shoqërua edhe me qirinj të ndezur në rrugë, ku një nga aktivistët lëshoi edhe një mesazh ndaj kryeprokurorit Olsian Çela.
Pano Sako tha se ai duhet t’i dalë në themel problemit si dhe duhet të tregohen përgjegjësit, që sipas tij janë njerëz që kanë mbajtur pushtet politik.
Sako u shpreh se:
Prokurori i ri t’i dalë në themel problemit. Të mos e shikojë problemin tek tullat, por tek guri i themelit. Guri i themelit të kësaj katrahure është tek politika dhe ne shpresojmë shumë që prokuror i përgjithshëm të shkojë tek guri i themelit. Përgjegjësit kanë emra. Janë njerëz që kanë mbajtur pushtet politik. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund këtu në Shqipëri. Nëse nuk merr fund, atëherë ne nuk kemi mësuar asgjë. Përgjegjësit duhet të kapen nga koka, duhet të shkojnë tek kryetari i Bashkisë së Durrësit, tek përgjegjësi i Bashkisë së Kavajës, etj. Nuk vret tërmeti, por vret njeriu kur neglizhon punën e vet, kur është makut dhe kërkon sa më shumë përfitime. Nxisim kryeprokurorin që punën që nisi sot të mos e lërë këtu, por ta nxjerrë në krye. Sepse kjo do të jetë edhe një shpresë për ne që kjo politikë ku asnjë nuk dënohet të marrë fund. Ishte një organizim i vogël, kërkonim që të ishim sa më direkt. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, organizime të tjera do të vijnë.