Shumë familjarë që kanë humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti po vijojnë të jetojnë në kushte ekstreme.
Kryeministri Rama propagandoi me disa pamje nga Manza, duke thënë se i ka strehuar e sistemuar në kontenierë banorët që kishin mbetur në qiell të hapur.
Mirëpo, Abc News bën me dije se në këtë zonë janë plot 35 familje që jetojnë në çadra, mes shiut, baltës dhe papastërtisë.
Zëvendës ministrja Ornela Çuçi i raporton kryeministrit se si janë zgjedhur familjet për tu strehuar në kontenierë.
Por edhe kjo përzgjedhje rezulton e gënjeshtërt. ABC News bën me dije se takuan në çadër këtë nënë me foshnjen 2 muajshe, dhe me burrin invalid. Ata nuk janë në kontenierë.
Esiona Konomi: Sa muajsh është fëmija?
Nëna e foshnjes: 2-muajsh.
Esiona Konomi: Keni humbur shtëpinë?
Nëna e foshnjes: PO, në fakt ne jemi qiraxhinj. Të pastrehë jemi, tani ajo banesë është e pabanueshme.
Esiona Konomi: Si i keni kaluar këto netë?
Nëna e foshnjes: Me shumë vështirësi, siç e shihni vetë, uji hyn brenda në çadër, kushtet janë shumë të vështira.
Esiona Konomi: Keni pasur ushqim?
Nëna e foshnjes: Për vete po, por për fëmijën jo. Kam kërkuar por askush nuk më ka sjellë.
Esiona Konomi: Ku e keni larë fëmijën?
Nëna e foshnjes: Nuk e kemi larë, ku ta lajmë. Veç e kemi fshirë me letra të lagura.
Esiona Konomi: Po te kontenierët nuk ju kanë dhënë asnjë mundësi?
Nëna e foshnjes: Jo nuk na kanë dhënë, futen me të njohur njerëzit atje.